Ristani: “Do të zbatojmë Kodin për asgjësimin e fletëve të votimit”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani, i është përgjigjur dje deklaratës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili një ditë më parë bëri thirrje që KQZ-ja të mos i asgjësojë fletët e votimit në zgjedhjet e 28 qershorit pa bërë më parë transparencën e zgjedhjeve. Ndërsa Ristani, i pyetur dje nga mediat, u shpreh se KQZ-ja do të zbatojë Kodin Zgjedhor për asgjësimin e fletëve të votimit. Ai tha se Kodi është një ligj i miratuar me konsensusin e partive politike dhe, si i tillë, duhet të zbatohet plotësisht, dhe jo pjesërisht. Duke vënë në dukje faktin se zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor do të zhvillohen në datën 15 nëntor, Ristani tha se nëse KQZ-së do t’i duhen kuti votimi, atëherë do t’i asgjësojë fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi, sipas tij, ky proces ka përfunduar dhe është certifikuar. Por, zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen vetëm për 5 komuna të vendit dhe sipas nënkryetares së KQZ-së, Subashi, ky institucion disponon kuti votimi bosh dhe nuk është nevoja për të përdorur ato të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duket se asgjësimi i fletëve të votimit po përdoret si pretekst për t’i dhënë fund qëndrimit të PS-së, e cila kërkon hapjen e kutive dhe numërimin e votave në disa qendra votimit.
Deklarata
“KQZ-ja vepron mbi bazën e ligjit, dhe jo mbi bazën e deklaratave politike të kujtdo krahu qofshin, aq më tepër të politikës së ditës. Kodi Zgjedhor parashikon që pasi të përfundojnë zgjedhjet, KQZ-ja hap kutitë e votimit dhe materialet që duhen dërgohen në Arkivin e Shtetit, ndërsa ato që nuk duhen, asgjësohen. Ky është përcaktimi, që është një përcaktim pa afat, por që në këtë rrugë veprohet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve”, - është shprehur Ristani. Ai tha se KQZ-ja ndodhet para zgjedhjeve të pjesshme lokale, ndaj dhe mund të nxitojë për asgjësimin e fletëve të votimit. “Ajo që na dikton për të vepruar në këtë rrugë janë dhe nevojat e momentit, pasi nëse do të na duhen kuti të lira për të zhvilluar zgjedhjet e 15 nëntorit, sigurisht që do të na duhet t'i boshatisim dhe t'i bëjmë gati për këtë proces. Megjithatë, ne do të vlerësojmë nevojat dhe nëse do të na duhen, ne do të zbatojmë ligjin, që është një ligj i miratuar me konsensusin e plotë të të gjitha palëve dhe ligji nuk mund të zbatohet 'çapraz', njëherë majtas e njëherë djathtas”, - është shprehur kryetari i KQZ-së. Më tej Ristani nënvizoi se kutitë nuk përmbajnë ndonjë gjë të çuditshme, ato përmbajnë materiale zgjedhore, siç janë procesverbalet e firmosura, qoftë nga numërues të majtë apo të djathtë, firmat e komisionerëve të majtë apo të djathtë dhe nuk përmbajnë asnjë vërejtje të vëzhguesve të majtë apo të djathtë. I pyetur se përse KQZ-ja ngutet për të asgjësuar kutitë, ai u shpreh se “ne nuk kemi asnjë nxitim në këtë histori, po zbatojmë vetëm ligjin dhe shohim nevojat për të përmbyllur procesin që ligji na e vendos si detyrë. Por, në rast se do të na duhen, sigurisht do të veprojmë sipas ligjit. Procesi është i mbyllur, ai i ka kaluar të gjitha filtrat e mundshëm ligjorë, të përcaktuar nga vetë forcat politike, se çfarë bën politika është problemi i saj, në rast se do të ndryshojmë ligjin apo do të vendosim sipas kompetencave të tyre, ne do të zbatojmë ato që na ngarkon ligji për të zbatuar”, - është shprehur kreu i KQZ-së.
Kodi Zgjedhor
Në Nenin 178 të Kodit Zgjedhor janë parashikuar të gjitha hapat që ndiqen për ruajtjen e materialeve zgjedhore pas përfundimit të procesit zgjedhor. Në këtë nen theksohet se asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së. “Dokumentet origjinale, të parashikuara në pikën 3 të këtij neni, i dërgohen KQZ-së brenda 3 muajve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve. KQZ-ja mban një kopje dhe ia dërgon dokumentet origjinale Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e kërkuar prej tij dhe brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, - shkruhet në Kodin Zgjedhor.
Neni 178
Dokumentet origjinale, të parashikuara në pikën 3 të këtij neni, i dërgohen KQZ-së brenda 3 muajve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve.
KQZ-ja mban një kopje dhe ia dërgon dokumentet origjinale Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e kërkuar prej tij dhe brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij.
“Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, - shkruhet në Kodin Zgjedhor.
8 Tetor 2009