Kryebashkiakët e PS, bojkot Qeverisë, takojnë Lohan e Bosch
ZIRINA LLAMBRO
Pushtetarët lokalë të Partisë Socialiste bojkotojnë Qeverinë. Pas bojkotit njëmujor të Kuvendit nga ana e deputetëve të PS-së, e njëjta situatë është përsëritur dje në mbledhjen e organizuar nga Ministria e Brendshme për të nisur përgatitjet për kryerjen e festimet në datën 15 tetor, kur do të nënshkruhet karta e autonomisë lokale. Në të njëjtën kohë që qeveritarët lokalë të djathtë ishin në takim me zv.ministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, të majtët që kanë edhe bashkitë kryesore, u takuan me shefin e Delegacionit të Komisionit Evropian Helmuth Lohan dhe kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch. “Qeveria po kryen një sërë shkeljesh flagrante në dëm të autonomisë lokale, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe ligjin ‘Për pushtetin lokal’”, u shpreh kryetari i bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi. “Paraqitëm raste konkrete se si financiarisht buxhetet e bashkisë cenohen, duke arritur në vlera deri në 50% të reduktimit të buxhetit, duke filluar që nga viti i ardhshëm. Është një cenim i pavarësisë së pushtetit lokal, që fillon nga pavarësia financiare dhe vazhdon pastaj me cenim të kompetencave dhe konflikte institucionale”, tha Shkëmbi. Ai nënvizoi se të gjitha shqetësimet u bënë prezente përpara ambasadorit të Bashkimit Evropian dhe në ditët që vijnë do të ketë një takim të dytë. “Zoti Bosch shfaqi interesin e tij për të vazhduar këtë bisedë pranë Prezencës së OSBE-së, këtu në Tiranë. Ne vendosëm që t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj ftese dhe vazhduam diskutimin me zotin Bosch, për të shprehur të gjithë shqetësimet dhe për të kaluar edhe në çështje specifike e teknike, për të cilat besoj se gjetëm mirëkuptim e tij”, tha Shkëmbi. Burime nga ky takim bëjnë të ditur se zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian dhe OSBE-së mbajnë shënime për pretendimet e pushtetarëve lokalë socialistë, por nuk bënë asnjë koment me situatën. Reagimi i pushtetit lokal në vend vjen pak ditë pasi Parlamenti ka miratuar paketën fiskale, ku ndër të tjera preket taksa e ndikimit në mjedis, e cila deri tani mblidhej nga bashkitë dhe komunat, ndërsa tani do të mblidhet nga qeveria.