E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishchepov: Shqipëria do të më mungojë

Diplomati rus

Pas një periudhe prej katër vitesh e gjysmë, ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Z. Alexander Prishchepov përfundon misionin e tij diplomatik në vendin tonë. Me këtë rast, një pritje u organizua këtë javë në mjediset e ambasadës, me pjesëmarrjen e trupit diplomatik, të akredituar në Tiranë, miq të ambasadorit, si dhe gazetarë. Gjatë këtij aktiviteti, ambasadori kroat në Tiranë, z. Darko Javorski, mbajti një fjalim në emër të trupit diplomatik. Ai ngriti lart figurën dhe kontributin e z. Prishchepov, i cili ka mbajtur edhe postin e Kryesuesit të Trupit Diplomatik në vendin tonë, ndërkohë që e falënderoi atë “për mirësinë tradicionale ruse të demonstruar” si dhe bashkëpunimin e ngushtë me qarqet diplomatike në vend. Z. Prishchepov falënderoi të pranishmit, ndërkohë që theksoi se koha e kaluar në Shqipëri do t’i mungojë. “Katër vjet e gjysmë nuk është një kohë e shkurtër dhe unë arrita të krijoj një lidhje të veçantë me Shqipërinë si dhe me shumë miq këtu, të cilët do të më mungojnë vërtet”, tha Prishchepov. Sipas tij, Shqipëria do të mbetet gjithmonë një kujtim i bukur në mendjen e tij. Prishchepov, 61 vjeç, ka mbi supe një karrierë të pasur diplomatike, që fillon në vitin 1971, kur ai mbaroi Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë dhe u angazhua në sistemin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Ai u emërua ambasador i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë më 26 gusht 2005. Ai u dallua për kontributin e tij në dhënien e një shtyse të re në marrëdhëniet diplomatike midis Rusisë dhe Shqipërisë. Dy palët vazhdimisht kanë vërejtur nivelin e mirë të kontakteve politike dhe bashkëveprimin midis institucioneve të politikës së jashtme të të dyja vendeve pavarësisht qëndrimeve të ndryshme ndaj çështjeve të caktuara.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›