“Në prill Shqipëria në NATO, garantohet përfundimi i procesit të ratifikimit”
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, siguron ecurinë normale të procesit të integrimit në Aleancën e Atlantikut Verior
TIRANE – Shqipëria pritet që në samiti i radhës të NATO-s në fillim të muajit prill të këtij viti, të bëhet anëtare me të drejta të plota të aleancës më të madhe ushtarake në botë. Përballë një situate të tillë, ndërsa data afron çdo ditë e më shumë, autoritetet shqiptare duken edhe më besimplotë mbështetur në panoramën e ratifikimeve prej 18 vende anëtare të Protokollit të Anëtarësimit.
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, tregon gjatë një interviste ecurinë e negocimit me vendet e tjera, gjithsej 8 anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që mbeten ende për t’i shkuar në fund procesit.
Në intervistë, Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, ka shprehur optimizmin e tij, se ratifikimi i Protokollit të Shqipërisë nga vendet anëtare të NATO-s ka ecur në një kohë rekord dhe vendet që ende nuk e kanë ratifikuar janë në shqyrtim të protokollit dhe shumë shpejt do ta ratifikojnë atë.
“Bazuar në 18 ratifikimet që tashmë kanë ndodhur, mbetem optimist se procesi do të përfundojë në mënyrë që, Shqipëria dhe Kroacia të shkojnë në Strasburg me të drejta të plota”, ka vlerësuar kreu i diplomacisë shqiptare.
Ministri i Jashtëm Luzim Basha ka bërë të ditur dje se, “ratifikimi i Protokollit të Shqipërisë në NATO nga Belgjika tashmë ka marrë formën ligjore, pasi është firmosur dhe është depozituar në Uashington. Në të njëjtën kohë, një numër parlamentesh janë duke ndërmarrë formalitete që kanë të bëjnë me ratifikimin. Dhoma e Parlamentit në Francë sot, shqyrton protokollin dhe pritet që nesër ta shqyrtojë në Senat dhe ne presim që ky proces të përfundojë me ratifikim. Kemi informacione që, Senati hollandez, që e ka shqyrtuar protokollin e javës që vjen, do të përmbushë dhe ratifikimin. Po kështu, sot Komisioni i Jashtëm i Parlamentit të Luksemburgut e ka marrë në shqyrtim dhe pritet që javën tjetër ta përfundojë”, është shprehur shefi i diplomacisë shqiptare.
Ministri Basha gjithashtu ka theksuar se në ditët në vijim do të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme me ministrat e Jashtëm të vendeve, që ende nuk e kanë ratifikuar protokollin, duke theksuar se brenda javës që vjen procedurat e ratifikimit nga këto vende do të përshpejtohen. “Në datën 6, unë do të kem një takim me homologun tim portugez dhe do të flitet për përfundimin e protokollin nga ana e Portugalisë. Do të takohem ditën tjetër me ministrin e Jashtëm slloven. Jemi në kontakt të vazhdueshëm që në orët e para të ndërtimit të qeverisë islandeze me këtë qeveri, me kanalet diplomatike dhe Ministrinë e Jashtme atje dhe besoj, që brenda një kohe jo shumë të gjatë do të zhvilloj një takim me të. Ndërkohë, që në datën 9 shkurt pres në Tiranë ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, e cila përmes një bisede telefonike që kam pasur me të më ka premtuar procesin e ratifikimit të protokolleve nga ana e Greqisë pa probleme brenda një kohe shumë të shkurtër”, bëri të ditur Basha, duke ripërsëritur sigurinë se për qeverinë shqiptare nuk ka asnjë pengesë për ratifikimin e protokollit të Shqipërisë në NATO nga ana e Sllovenisë.
“Sllovenia i ka përfunduar diskutimet për sa i përket Shqipërisë, diskutimet kanë qenë jashtëzakonisht pozitive dhe vlerësimet kanë qenë shumë të larta jo vetëm për politikën e saj rajonale, por edhe për reformat e bëra, sigurinë, dhe marrëdhëniet e mira midis Lubjanës dhe Tiranës. Mund të them se, të gjitha kanalet diplomatike na kanë siguruar se shqyrtimi do të vazhdojë dhe pritet të përfundojë me sukses të plotë”, tha ndër të tjera shefi i diplomacisë shqiptare.
Për qeverinë shqiptare nuk duket të jetë problem as ratifikimi i protokollit prej Parlamentit slloven. Shtyrja e ratifikimit të protokolleve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë u komentua si fryt i përplasjeve mes Sllovenisë dhe Kroacisë.
“Gjithashtu, problemet e brendshme të Sllovenisë, mazhorancë-opozitë, që lidhen me mosmiratimin e buxhetit faktik, kanë penalizuar protokollet për anëtarësim në NATO. Një shtyrje gjithsesi me afat të kufizuar, duke pasur parasysh se të njëjtat burime pohojnë se krerët e NATO-s dhe SHBA-ve, kanë ushtruar presion pozitiv për mbylljen
sa më parë të këtij procesi. Të dy protokollet do të votohen dhe ratifikohen në bllok, nënvizoi më tej Basha, duke kujtuar se, që prej nënshkrimit të protokollit për anëtarësim, vendet anëtare të NATO-s kanë reaguar me shpejtësi domethënëse në ratifikimin e protokollit për Shqipërinë dhe Kroacinë”.