E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti një delegacion të Komisionit të Arsimit dhe Shkencës të Kuvendit të Republikës së Kosovës

- “Ne duhet të shkojmë drejt teksteve të përbashkëta, me përmbajtje të njësuara, pasi të vërtetat janë një dhe detyra e shkencës është t’u heqë pluhurin dhe mykun e së kaluarës e t’i bëjë ato të shndrisin” theksoi gjatë takimit kryeministri Berisha

Kryeministri Sali Berisha priti sot paradite, një delegacion të Komisionit të Arsimit dhe të Shkencës të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pasi i uroi mirëseardhjen delegacionit kosovar, kryeministri Berisha theksoi se e konsideron arsimin, si fushën kryesore për të kapërcyer prapambetjen dhe dasitë e pamerituara të kohëve të shkuara. “Vizitën tuaj e vlerësoj, - vazhdoi më tej kryeministri Berisha, - mbështes bashkëpunimin midis ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës”.

Me tej, në fjalën e tij kryeministri vazhdoi duke theksuar se mes Shqipërisë dhe Kosovës, nuk duhet të ketë dallim për asnjeri se ku studion; sistemi arsimor duhet të jetë i njëjtë, për të arritur synime të përbashkëta arsimore.

“Ne duhet të shkojmë drejt teksteve të përbashkëta, me përmbajtje të njësuara, pasi të vërtetat janë një dhe detyra e shkencës është t’u heqë pluhurin dhe mykun e së kaluarës e t’i bëjë ato të shndrisin. Ne do të bëjmë të mundur që çdo i ri apo e re që mbaron shkollën e mesme të ketë të hapura dyert për të shkuar në universitet, t’u hapim atyre rrugët e dijes dhe tregu vendos më pas për punësimin. Kemi bërë përparime të mëdha në këtë drejtim dhe ende kemi për të bërë, po trefishojmë numrin e studentëve krahasuar me katër vjet më parë dhe ende do ta rritim” shtoi kryeministri Berisha .

Delegacioni kosovar, falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe fjalët e tij inkurajuese për zhvillimin e arsimit.


26/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›