E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti në takim z.Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës si dhe zv.Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

- “Doja t’ju përcillja përgëzimet tona për angazhimin dhe punën dinjitoze në progresin, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Shqpërisë dhe tërë rajonit”, u shpreh zoti Dedaj gjatë takimit me kryeministrin Berisha.

Kryeministri Berisha priti sot në një takim miqësor kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, zotin Gjergj Dedaj, njëkohësisht edhe zv. Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Duke I uruar mirëseardhjen kryeministri Berisha I përcolli zyrtarit kosovar përshëndetjet e tij dhe të qeverisë shqiptare, si dhe shprehu vlerësim për kontributin e Partisë Liberale, vetë zotit Dedaj dhe familjes së tij për çështjen kosovare.

“Fillimisht ju falënderoj për pritjen dhe do të doja t’ju përcillja mbështetjen dhe përgëzimet tona për angazhimin e madh, përkushtimin dhe punën dinjitoze në progresin, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe tërë rajonit”, u shpreh zoti Dedaj gjatë takimit me kryeministrin Berisha.

“Ne, si parti e vogël, - vazhdoi më tej Dedaj, - duke qenë pjesë e mozaikut të politikës kosovare, e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Shqipërisë dhe Tuajin personalisht në realizimin e pavarësisë, në zhvillimin harmonik të shoqërisë dhe shtetit të ri kosovar, si dhe kontributin në prosperitetin dhe progresin perëndimor të Shqipërisë”.

Duke e përshëndetur dhe përgëzuar njëkohësisht për zhvillimet në Kosovë, kryeministri Berisha i shprehu mikut kosovar mbështetjen e tij dhe të qeverisë ndaj progresit që po bën Kosova.

“Shqipëria dhe shqiptarët, - theksoi kryeministri Berisha, - tashmë kanë arritur në një stad pjekurie politike dhe maturie demokratike që i lejojnë të ecin përpara me sukses duke respektuar shtetin ligjor e Kushtetutën, si dhe njëkohësisht të drejtat e liritë e qytetarëve dhe të opozitës në veçanti”.


25/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›