E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të punojmë me të gjitha forcat që Belortaja, Plasa dhe çdo fshat i Korçës të jetë i standardeve infrastrukturore evropiane

Në vijim të vizitës së tij në Korçë, Kryeministri  Berisha u ndal në fshatin Belorta, të komunës Bulgarec, për të përuruar rrugën e këtij fshati, investim me vlerë 10 milion lekë.

Gjatë katër viteve në këtë komunë janë investuar 282,5 milion lekë, kundrejt 43, 4 milion lekëve investime, të qeverisjes socialiste, ose rreth 7 herë më shumë.

Duke iu drejtuar banore, kryeministri u shpreh:  “Së pari, dua tu përshëndes vëllazërisht. Dua tu them, se në dhjetëra vite, në rast se vështron në kallot tuaja, tek tokat tuaja, tek balli juaj, e gjen se pakkush në Evropë ka djersitur, aq sa keni djersitur ju,  ka derdhur mund e djersë në këtë tokë, aq sa keni derdhur ju, por  ju sërish me gjithë punën e ndershme që keni bërë nuk mund të krahasoheshit e nuk mund të krahasoheni ende me fermerët e Evropës. Kjo jo për shkakun tuaj. Sa për ju, për punën tuaj,  Shqipëria do të kishte dy herë në Evropë, por kjo ka ndodhur se, nuk keni pasur rrugë të asfaltuara, nuk keni pasur ujësjellës, nuk keni pasur kanalizimet që meritoni, nuk keni  pasur rritje prodhimi, nuk keni pasur përpunimin e tij, sepse shkollat tuaja kanë qene krejt ndryshe nga shkollat e Evropës. Çfarë po bëjmë ne? Ne, të frymëzuar nga puna juaj po bëjmë që Belortaja, Plasa dhe çdo fshat i Korçës të jetë i standardeve infrastrukturore evropiane.  

Këtu ne inauguruam një rrugë, në këtë komunë ne kemi investuar  7 herë më shumë, sesa në tetë vitet e qeverisjes socialiste. Këto janë realitete që i shohim, por të tjera shumë më të mëdha na duhen. Ajo që kemi shpallur se  do të kemi  Belortanë, Plasën, Korçën evropiane,  ju garantoj, se nuk ka premtim më ambicioz dhe më të vështirë por njëqind  për qind të realizueshëm. Për këtë arsye ju ftoj të vazhdojmë së bashku se unë dhe bashkëpunëtorët e mi,  tani e tutje, nuk ju premtojmë se do të asfaltojmë këtë apo atë rrugë. Premtimi ynë solemn është se do të asfaltojmë çdo pëllëmbë rrugë tuajën. Premtimin tonë, ne  e bazojmë në ato që kemi arritur. Ne kemi asfaltuar 6000 km rrugë. Tani nuk ka forcë në botë që na mban ne, pa veshur  çdo rrugë të këtij vendi me asfalt. Ne vijmë këtu për tu zotuar,se do të pesëfishojmë grantin për prodhimet tuaja dhe se do të bëjmë çdo gjë për rritjen maksimale të prodhimit.  Ku e bazojmë ne këtë? Në këto katër vite ne kemi dyfishuar mbjelljen e drurëve frutorë sepse katërfishuam grantin. Në këto katër vite, ne kemi shumëfishuar kapacitetet ftohëse për prodhimet tuaja, sepse kemi shumëfishuar kredinë dhe grantin. Mbetet që ne tu përgjigjemi ju, për të gjithë potencialet tuaja prodhuese. Ju punën, ne mbështetjen.  Këto katër vite ne ndërtuam dhe rindërtuam 1012 shkolla në mbarë vendin, ne nuk premtojmë më këtë apo atë shkollë, por premtojmë që në katër vite të ndërtojmë apo rindërtojmë çdo shkollë të këtij vendi. Ju me punën tuaj  keni derdhur lumenj djerse që ne  të jemi në Evropë dhe ne bashkërisht do të ndërtojmë  këtu në Belorta, në Korçë,  të gjithë standardet evropiane. Këtu unë shoh burra dhe gra të moshuara. Ne ju premtuam atyre, se do të dyfishonim pensionet dhe jo të paktë ishin skeptikët që besonin se do të realizonim këtë  premtim. Sot ne këtë premtim e kemi realitet. Por ne nuk jemi të kënaqur  sepse duam tua barazojmë ato me të qytetit. Ky është një udhëtim, por a po ecim shpejt por unë dua tu them se ne po ecim më shpejt se sa e kemi imagjinuar jo ne,  por çdo njeri në Evropë apo në  botë. Kjo ka bërë  që Shqipëria të marrë kualifikimet më të larta, për ritmet tona të shpejta se përndryshe do të mbeteshim ashtu siç ishim . Prandaj ju ftoj ta shndërrojmë 28 qershorin në festën e Belortasë evropiane, në festën e Korçës evropiane, në festën e shtëpisë së re e të bukur të fëmijëve tanë në shndërrimin në realitet të ëndrrës sonë”.


29/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›