Kryeministri Berisha : Rialokimi i 200 milion dollarëve rezultat i një perfomance financiare shumë të mirë
-Qeveria miraton vendimin për rialokimin e fondeve dhe shpërndarjen e tyre në sektorë të ndryshëm
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha cilësoi të një rëndësie të veçantë vendimin për rialokimin e fondeve prej 17 miliard lekësh, të cilat do të përdoren në sektorë të ndryshëm. Kryeministri theksoi se këto shuma janë rezultat i një performance financiare shumë të mirë, për sa i përket mbledhjes së të ardhurave.
“Këto 170 milion dollarë, madje 200 milion me kursin e tanishëm, vijnë së pari si rezultat i uljes së kostos së borxhit publik. Mirëmenaxhimi i borxhit ka bërë që interesat e tij të zbresin në rekordin historik, 2.1 % të GDP dhe të përfitohen 3.8 miliard lekë”, u shpreh kryeministri
Duke përgëzuar administratën për menaxhimin në bazë të normave dhe standardeve të duhura, Kryeministri shtoi se nga mirëmenaxhimi i fondit të pagave dhe shpenzimeve operative të marra së bashku, janë shpëtuar nga abuzimet 2.3 miliard lekë.
Ndër të tjera, kryeministri informoi se një shumë prej 3 miliard lekësh është përfituar si rezultat i uljes së kostos së prokurimeve publike të brendshme, pa përfshirë këtu financimet e huaja dhe rialokimet e bëra nga ministritë. “Ministria e Punëve Publike për shkak të uljes së kostos së prokurimeve ka përfituar nga ajo dhe ka hapur fronte te reja pune . Mjaftojmë të kujtojmë këtu që terminali i portit të Durrësit është kontratuar me 42 % të fondit të parashikuar dhe është fituar nga një prej kompanive më serioze.” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi gjithashtu se investimet publike përfitojnë nga këto shuma rreth 8 miliard lekë, nga të cilat 5 miliard investime direkte në rrugë dhe 3 miliard do të përdoren për shpronësime. Në këtë kontekst, kryeministri informoi se po finalizohet dosja e shpronësimeve të autostradës Fier-Vlorë, të Unazës së Tiranës, të Unazës së vogël të Tiranës, etj.