Qeveria akordon 4 miliard lekë për pensionistët
- Kryeministri: Fonde shtesë për pensionet nuk ka prekur investimet në vend.
Kryeministri Berisha bëri të ditur se, nga vendimi i qeverisë për rialokimin e fondeve, 4 miliard lekë kalojnë për pensionet, nga të cilat, 3 miliard lekë për dhënien e një ndihme ekonomike për pensionistët me rastin e festës së Vitit të Ri.
“Fondi që shkon për pensionet është 4 miliard lekë. Nga këto, 3 miliard është shuma që shkon për darkën e Vitit të Ri për këtë brez,” u shpreh Kryeministri gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Duke risjellë në vëmendje se ky vit nisi me vendosjen e pensionit minimal, Kryeministri konstatoi me kënaqësi se ai sërish mbyllet me këtë kategori.
“Në fillim të vitit, - tha Kryeministri - ne rritëm në masën 60 për qind pensionin minimal të fshatit, nga 34 mijë lekë e rritëm në 50 mijë dhe sot është 55 mijë lekë dhe pensionin e qytetit nga 84 mijë lekë në 100 mijë lekë. Pra, ne e nisëm vitin e ri me këtë kontingjent të popullatës, që është mbi 500 mijë dhe më vjen mirë që e mbyllim duke i siguruar të gjithëve një darkë të qetë për Vitin e Ri.”
Kryeministri shprehu gjithashtu kënaqësinë që me këtë vendim i vihet në ndihmë kësaj kategorie shoqërore, për punën dhe sakrificat në jetën e tyre dhe në dobi të vendit.
“Ky ishte qëllimi ynë thelbësor, sepse, sado ta ndihmojmë këtë brez, nuk arrijmë t’i shpërblejmë për lumenjtë e sakrificave që ata kanë derdhur në një sistem paranojak. Edhe pse ishte një sistem i tillë, ajo çka është bërë, është realizuar mbi sakrificën e tyre,” tha Kryeministri.
Duke përshëndetur punonjësit e institucioneve të vjeljes dhe administrimit të të ardhurave dhe Ministrinë e Financave, Kryeministri vlerësoi të rëndësishëm faktin se ky fond është mbledhur nga shkurtimi i shpenzimeve të qeverisë dhe nuk ka prekur investimet në vend.
“Fondi shtesë i qeverisë për Vitin e Ri mblidhet nga shkurtimi i shpenzimeve operative, nga shkurtimi i shpenzimeve të fondit të pagave dhe nga fondi i shkurtimeve të tjera, ndërkohë, sikundër e shihni, investimet shtohen. Kjo përbën një përgjegjësi shumë të lartë,” tha Kryeministri.
Kjo masë, theksoi më tej Kryeministri, ka qenë e domosdoshme për shumë faktorë, si edhe për të bërë zero inflacionin për këtë kategori. “Kjo na jep kënaqësi, pasi shtesa reale që u kemi bërë atyre është reale 100 për qind dhe nuk ka asnjë qindarkë të zbritur nga inflacioni.”