Kryeministri Berisha takohet me zëvendëskryeministrin e Belgjikës Patrick Dewael
Sot në mesditë, kryeministri Berisha mirëpriti në një takim zëvendëskryeministrin e Belgjikës, zotin Patrick Dewael. Në përfundim të takimit kryeministri Berisha dhe zoti Dewael komentuan për mediat:
Zëvendëskryeministri i Belgjikës Patrick Dewael: Ndihem i nderuar që sot u takova me Kryeministrin Berisha dhe me kolegun tim, zotin Olldashi. Bashkëpunimi midis Belgjikës dhe Shqipërisë është shumë intensiv. Që prej zgjedhjeve të fundit Shqipëria ka ndërmarrë reforma të mëdha. Qeveria e Belgjikës e përgëzon qeverinë shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian dhe vlereson se ky është fillimi i një procesi që do ta drejtojë Shqipërinë në qëllimin e saj drejt integrimit europian. Fushat e bashkëpunimit midis dy vendeve tona janë të shumta dhe unë konstatoj me kënaqësi të madhe zbatimin e plotë të deklaratës së bashkëpunimit midis dy vendeve tona të nënshkruar në 2004-ën. Në këtë deklaratë saktësohen të gjitha fushat e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Në drejtim të bashkëpunimit me Shqipërinë, në dikasterin që unë drejtoj, 3 fusha janë shumë të rëndësishme; Së pari asistenca e Belgjikës për të implementuar në Shqipëri krijimin e rregjistrit kombëtar të popullsisë. Belgjika do ta vendosë të gjithë përvojën dhe ekspertizën e saj në shërbim të autoriteteve shqiptare.
Së dyti, përsa i përket bashkëpunimit policor mes dy vendeve, po i referohem nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh policor në mars 2005. Sigurisht që është mirë të kemi një marrëveshje, por më e rëndësishme është që ajo të zbatohet. Në përfundim të bisedimeve që pata edhe me kolegun tim, zotin Olldashi, mund t'ju garantoj që të dy palët jemi të vendosur që luftën kundër krimit të organizuar ta ngremë në nivelin absolut të bashkëpunimit tonë.
Edhe fushat e tjera janë prioritare në bashkëpunimin dypalësh si, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit ekonomik e financiar, lufta kundër falsifikimit të dokumentave, lokalizimi dhe kapja e personave në kërkim, si dhe transferimi eventual i shtetasve shqiptar të dënuar në burgjet belge. Për të lehtësuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona dëshiroj edhe njëherë të ritheksoj rëndësinë e faktit që Belgjika ka vendosur në Shqipëri një oficer ndërlidhës, i cili është përfaqësues i policisë federale belge dhe është akredituar tashmë në Tiranë. Gjithashtu, u njoha me faktin që edhe Shqipëria do të procedojë për vendosjen e një oficeri ndërlidhës policor në Belgjikë.
Së fundi, drejtim tjetër i bashkëpunimit dypalësh është lufta kundër emigracionit ilegal. Që me marrjen e postit tim si Ministër i Brendshëm unë kam kryer vizita pune në shumë vende dhe mesazhi im ka qenë gjithmonë shumë i qartë; Belgjika i jep statusin e azilit politik vetëm personave që përmbushin kriteret e Gjenevës. Por nga ana tjetër, është thelbësore që gjithë shtetasit shqiptarë ta dinë se Belgjika ka ndërmarrë kohët e fundit masa të rrepta për të luftuar abuzimet në procedurën e marrjes së azilit politik. Sapo kemi votuar në parlamentin belg një procedurë të re në këtë drejtim që përfshin një procedurë kërkesë-azili në trajtimin e kërkesës në afate shumë më të shkurtëra dhe me masa të reja më të rrepta përsa i përket largimit nga territori belg.
Kam bindjen që bashkëpunim i gjatë dhe i frytshëm mes dy vendeve do të forcohet akoma më shumë dhe do të jetë shumë më konkret dhe në fusha që janë thelbësore, sepse kjo ka të bëjë drejtëpërsëdrejti me sigurinë e qytetarëve tanë.
Kryeministri Berisha: Takimi me zevendëskryeministrin e Belgjikës, zotin Patrick Dewael, ishte një rast i shkëlqyer për mua, për ti shprehur mirënjohjen e thellë zëvendëskryeministrit, qeverisë së Belgjikës për mbështetjen e madhe që ky vend i dha Shqipërisë për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Gjithashtu, është një rast për të shprehur kënaqësinë e veçantë për faktin se infrastruktura ligjore e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Belgjikës, është e shkëlqyer, është një model për Shqipërinë për ta ndjekur dhe me vende të tjera perëndimore.
Me Zv/kryeministrin Patrick Dewael ne diskutuam për të forcuar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e rëndësishme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve dhe për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Unë e njoha zotin Dewael me përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe me rezultatet konkrete të këtyre përpjekjeve. Gjithashtu e njoha me vendosmërinë e qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më lirë për investitorët belg dhe ata të huaj. Për të dy palët çështja e sigurisë së qytetarëve është një çështje parësore dhe ne ramë dakort që të intensifikojmë bashkëpunimin në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të të gjitha formave.
Qeveria shqiptare mbështet marrëveshjen që është në studim e sipër për qëndrimin ndaj të dënuarve në burgjet e Belgjikës, shqiptarëve që kanë kryer krime në Belgjikë. Ne gjetëm mirëkuptim me zëvendëskryeministrin qe qeveria belge te na asistoje në të gjitha problemet e regjistrit kombëtar të popullsisë, kartave të identitetit. PO ashtu, kërkuam që, paralelisht në të gjitha këto përpjekje, qeveria e Mbretërisë së Belgjikës të mbështesë liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Unë e sigurova zëvendëskryeministrin se shumë shpejt do të emeroj përfaqësuesin e policisë sonë në Bruksel dhe e garantova se ne do të jemi shumë të hapur në këtë bashkëpunim të rëndësishëm.
Gjithashtu, mora mbështetjen e zëvendëskryeministrit për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në NATO.
I ripërsërita ftesën kryeministrit të Mbretërisë së Belgjikës, për një vizitë në Shqipëri, vizitë të cilën kryeministri e ka pranuar dhe shpresoj që kjo vizitë të realizohet në muajt e ardhshëm.
Edhe njëherë dua ta falenderoj zëvendëskryeministrin për këtë vizitë që shënon një ngjarje të shumë të rëndësishme në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona.
Pyetje: Në ç'drejtim do të konsistojë asistenca që do të japë Belgjika për regjistrin kombëtar të popullsisë dhe kartat e identitetit?.
Kryeministri Berisha: Belgjika ka një ndër eksperiencat më të përparuara në Europë në këtë fushë dhe ne shpresojmë që të kemi ndihmën e saj teknike, por edhe më gjerë sesa teknike.
Zëvendëskryeministri belg Patrick Dewael: Sigurisht që Belgjika do të japë një mbështetje teknike në këtë proces, por edhe në bashkëpunim me OSBE ekzistojnë tashmë projekte që mbështeten edhe nga Belgjika. Në këto projekte përfshihet jo vetëm asisitenca teknike, por edhe ajo financiare.