Kryeministri Berisha: Bashkërisht do të ndryshojmë Shqipërinë në çdo skaj
Kryeministri përuroi sot, shkollën 9 vjeçare në fshatin Tren, të rrethit të Korçës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 13 milionë lekë.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që ndante me banorët gëzimin për inaugurimin e kësaj shkolle, e cila do tu jepte mundësinë fëmijëve të zonës të shkolloheshin në mjedise bashkëkohore, të niveleve më të larta.
“Tre vjet më parë deklaruam se arsimi do të jetë një nga përparësitë më madhore të qeverisë. Unë u garantoj se ne do ta bëjmë Shqipërinë me një sistem shkollash , të reja, moderne, të denja për këtë vend. Shpreh kënaqësinë e madhe që misionarët e mëdhenj, të cilëve ne iu besojmë arsimimin e fëmijëve tanë, nisën vitin shkollor me një pagë 78 % më të lartë se një vit më parë. Unë gjithashtu ndihem krenar se ne kemi mbajtur premtimin tonë.
Kryeministri i njohu banorët me një sërë projektesh për fshatin Tren , të cilat shumë shpejt do të bëhen realitet. “ Premtimet tona çdo ditë shndërrohen në realitet. Është përfunduar projekti për rrugën që ju lidh ju me rrugën kombëtare dhe së shpejti do të realizohet. Është tenderuar ujësjellësi për fshatin tuaj dhe së shpejti ju do të keni një ujësjellës. Isha në Vithkuq, ku inauguruam që rrugën që lidh Vithkuqin me rrugën nacionale. Banorët e zonës më shprehën hallet e tyre dhe unë i sigurova ata se kjo qeveri do të asfaltojë cdo rrugë, në të gjitha qendrat, në të gjitha komunat, fshatrat e këtij vendi. Këto janë baza e punës së qeverisë sime.”
Më pas, kryeministri u shpreh se fermerëve të zonës do tu jepet përparësi në projektet për zhvillimin rural të vendit, duke vlerësuar çdo ditë e më shumë, prodhimet e tyre “Ju besoj se e keni ndjerë që këto dy vite keni treguar prodhimet tuaja më shumë se asnjëherë më parë dhe kjo ka ardhur se ne nuk kemi lejuar dhe nuk do të lejojmë më që monopolistët e pushtetit të rrëmbejnë trarët e doganave dhe të kalbin prodhimet tuaja në fushë. Prodhimet tuaja do të vlerësohen çdo ditë e më shumë. Kemi kënaqësinë që këtë vit është dyfishuar prodhimi i eksportit krahasuar me nje vit më parë. Ju garantoj se vitin që vjen ky eksport do të jetë shumë më i madh.”
Kryeministri u shpreh se në këtë drejtim, do të ndihmojë shumë edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe ndërtimi i rrugëve të reja. Duke vlerësuar kontributin e punës së të gjithë qytetarëve në ndryshimin e Shqipërisë, Kryeministri garantoi se në sajë të punës së përbashkët, do të zhvillohet çdo skaj i vendit.
“Me bindjen time më të thellë ne po e ndryshojmë Shqipërinë, po e ndryshojmë Bilishtin, po ndryshojmë Korçën dhe mbarë Shqipërinë. Ju jeni kontributorë të mëdhenj të këtij ndryshimi. Bashkërisht ia dolëm të marrim ftesën për anëtarësim në NATO. Bashkërisht ia dolëm të firmosim MSA-në, së shpejti ju do të lëvizni në mbarë Evropën si qytetarë të saj. Bashkërisht do të zhvillojmë çdo skaj të këtij vendi, në mënyrë që të mos ketë zona të braktisura. Banorët e këtyre zonave me punën e tyre të frymëzojnë dhe të motivojmë që ne të punojmë më shumë për ju.”