E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Jemi të vendosur të çojmë rrugë të asfaltuara në çdo qendër komune

- Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të mbështesë çdo projekt për pëmirësimin e infrastrukturës së Vithkuqit dhe të gjithë fshatrave të Shqipërisë, për të mos ndjerë vështirësitë e zonave të largëta.

Në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha u ndal sot në mesditë në Vithkuq. Fillimisht, Kryeministri Berisha përuroi rrugën nacionale Vithkuq, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 30 milionë lekë.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri i garantoi ata, se qeveria do të mbështesë çdo projekt të pushtetit vendor, për ndryshimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Duke garantuar se çdo premtim do të kthehet në një vepër të realizuar, Kryeministri ritheksoi se alternativa e zgjedhur nga qeveria është ajo e investimeve në rrugë, kanalizime, ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësore, etj.  Shqipëria, u shpreh kryeministri është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi.

Kryeministri i siguroi banorët e Vithkuqit se me projektet e qeverisë për të investuar në infrastrukturën e zonës, ata nuk do të ndihen aspak si banorë të një zone të largët, por do të kenë mundësinë të lëvizin shpejt dhe lirshëm në çdo qytet të Shqipërisë.

Kryeministri shprehu vendosmërinë për të punuar dhe investuar cdo ditë e më shumë  në Vithkuq, në Korçë dhe në të gjithë Shqipërinë, që asnjë fshat të mos ndihet i humbur.

Në fjalën e tij, në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri u shpreh:

“Jam sot këtu për të garantuar të gjitha banorët e Vithkuqit se qeveria ime do të mbështesë çdo projekt tuajin, me të cilin ju ndryshoni jetën e këtyre qytetarëve. Çdo projekt për shkolla moderne, çdo projekt për rrugë të asfaltuara, çdo projekt për mundësi të përpunimit të prodhimeve tuaja, për qendra shëndetsore, për vaditje, etj. Pra ne jemi të vendosur të investojmë në Vithkuq dhe kudo për të bërë të mundur që jeta juaj të përmirësohet, të ndryshojë për mbarë, të lehtësohet. Ne kemi përzgjedhur alternativën tonë, rrugë, kanalizime, ujësjellësa, shkolla, vaditje, kanale. Këto do të jenë përqendrimet kryesore të qeverise. Këto nuk janë thjesht fjalë, ne po i shndërrojmë çdo ditë në realitet. Këto janë vepra.

Unë isha në Bllacë ku inaugurova shkollën e re. Rruga e Bllacës do të fillonte së shpejti asfaltimin. Rruga tjetër që lidh Bllacën me Zemblakun do të fillonte së shpejti asfaltimin. Isha në Pirg, ku inauguruam një shkollë të re, shumë të bukur. Erdha këtu tek ju ku inauguruam dy rrugë. Pra ne po i mbajmë premtimet tona. Ne së bashku me ju po e ndryshojmë Shqipërinë. Ne së bashku me ju po e ndryshojmë Vithkuqin.

Ne  e dimë që ju keni shumë halle dhe derte, por ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për tua zgjidhur ju ato. Do të bëjmë çdo përpjekje që fëmijët tuaja të mësojnë në shkolla moderne, njësoj si në Tiranë, Shkodër, Vlorë apo vende të tjera. Do të bëjmë çdo përpjekje që çdo prodhim i juaji të marrë vlerën që i takon  dhe jo ta kalbë në fushë kontrabanda.

Një burrë i moshuar nga Mitrovica , i cili bëri pushimet në Sarandë, më tha  se nga Saranda në Prishtinë, shqiptarë i gjeta në punë, pra Shqipëria është shndërruar në një kantier të vërtetë. Kudo, në të katër anët e vendit, ne po ndërtojmë rrugë, më shumë se sa janë ndërtuar në tërë historinë  e vendit. Nisim këtë vjeshtë projektin e katër mijë km rrugë rurale, në fshatrat dhe çdo rrugë të Shqipërisë. Ne do të çojmë rrugë të asfaltuara në çdo qendër komune. Ne po investojë në arsim me shumë se në çdo drejtim tjetër, sepse për ne, fëmijët janë të parët. Ne duam që ata të shkollohen në shkolla të mira, në shkolla moderne, me laboratorë informatike, etj.

Ne duam që mësuesit e fëmijëve tanë të ndihen zotër në misionin e tyre fisnik. Ndaj dhe ne ikemi vendosur të parët me përparësi në rritjen e rrogave. Ne shpallëm dyfishimin  e rrogave të tyre ne dy vjet dhe realizuam këtë premtim.

Ne vendosëm të dyfishojmë pensionet në fshat dhe këtë do ta shndërrojmë në realitet. Viti që vjen shënon dyfishimin e pensioneve në fshat. Në tre vjet, ne ia kemi dalë të vjelim taksa dhe tatime më shumë se sa kanë vjelë paraardhësit tanë në gjashtë vjet. Shqipëria, dikur vendi i taksave më të larta, sot është vendi i taksave më të ulëta në Evropë. Ne e bëmë këtë duke luftuar kontrabandën , korrupsionin, ryshfetin. Të ardhurat nga doganat, kanë arritur në 38 miliard  lekë dhe kjo sepse trau i doganave tashmë ngrihet dhe ulet sipas ligjit .

Këtë vit, fermerët shqiptarë kanë shitur në botë më shumë se sa kurrë më parë. Eksporti i perimeve është rritur ndjeshëm, krahasuar jo me tre apo pesë vjet më parë, por krahasuar me vitin 2007. Pati përpjekje të mëdha për të imponuar heqjen e taksës së grurit. Por ne vendosëm ti mbrojmë prodhime tuaja. Shpenzuam 50 apo 60 milionë dollarë për të kompensuar rritjen e çmimeve dhe vendosëm të mbronim prodhimet tuaja. Ju keni halle dhe probleme, por unë ju jap fjalën se qeveria përpiqet së bashku me ju, për ti zgjidhur këto.

Ndaj e ftoj Kryetarin e PS-se të vijë në Vithkuq, jo për të shpërndarë enciklika, jo për të recituar enciklika, por të vijë e të shohë se si punohet këtu, si e ndërtojnë jetën këta qytetarë, sepse këta qytetarë mendojë për rrugët, nuk kanë nevojë për fjalë, kanë nevojë për ujësjellësa, nuk kanë nevojë për retorikë, kanë nevojë për kanalizime, nuk kanë nevojë për slogane , kanë nevojë për shkolla moderne, që të vazhdojnë të investojnë për fshatin e tyre.

Ne jemi të vendosur tua sigurojmë këto, duke respektuar njëkohësisht edhe lëvizjen e lirë. Jemi të vendosur që edhe në Vithkuq, në Korcë dhe në të gjithë Shqipërinë të punojmë çdo ditë e më shumë . Dhe ne e kemi bërë këtë. Shqipëria sot ka marrë ftesën për në NATO. Shqipëria po përmbush detyrimet e marrëveshjes së MSA-së, në mënyrë që ju qytetarë të Vithkuqit të lëvizni të lirë , jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Evropën dhe ju siguroj që kjo ditë do të jetë e afërt .

Dhe njëherë gëzuar këtë rrugë dhe ju siguroj se nuk do të ndiheni aspak zonë e largët. Do të ndiheni njësoj sikur të ndodheni pak km larg nga Tirana, sepse ne do të mbështesim çdo projekt tuajin. Me këtë rast shpreh edhe njëherë respektin për traditën tuaj të shkëlqyer dhe ju siguroj se qeveria ime do tu mbështesë pa asnjë rezervë për ta bërë jetën më të mirë në këto zona.”

Pas inaugurimit të rrugës, kryeministri bëri një vizitë në fshatin Vithkuq dhe u takua me banorë të zonës. Banorët e falënderuan Kryeministrin për vizitën dhe vëmendjen ndaj zhvillimit të kësaj zone. Kryeministri premtoi se qeveria do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë, në këtë zonë, sepse një infrastrukturë e zhvilluar ndihmon turizmin dimëror, tipik për këtë zonë. Kryeministri vlerësoi punën e madhe të banorëve të zonës për zhvillimin e saj, si dhe për ruajtjen e traditave të shkëlqyera kulturore, të turizmit, mikpritjes apo dhe prodhimeve të veçanta të saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›