Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e disa rrugëve të rëndësishme për komunitetin në Bilisht, Vishocic dhe Sul, në Devoll

Gjatë vizitës në rrethin e Korçës, Kryeministri Berisha u ndal edhe në Bilisht, Vishocic dhe Sul ku përuroi përfundimin e disa rrugëve të rëndësishme që lehtësojnë lëvizjen e komunitetit dhe veçanërisht aktivitetin e fermerëve të këtyre zonave.
Në Bilisht, Kryeministri inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të rrugës të spitalit. Rruga ka të gjithë elementet infrastrukturorë të standardeve evropiane dhe është investim me vlerë 26 milion lekë.
Më pas, Kryeministri Berisha u ndal në fshatin Vishocic, ku përuroi rrugën që lidh qendrën e këtij fshat me rrugën kombëtare, një investim me vlerë 45 milion lekë. Kryeministri theksoi se investimet për zhvillimin rural të vendit janë në fokusin e qeverisë dhe do të vijnë duke u rritur.
“Përveç rrugës, në këtë fshat, këto ditë përfundon këto ditë rikonstruksioni tërësor i shkollës, ndërkohë është ndërtuar edhe ujësjellësi. Investimet tona për zhvillimin rural janë të mëdha, por edhe më të mëdha do të jenë vitin e ardhshëm dhe vitin në vazhdim. Ne jemi qeveria që po ndryshon Shqipërinë dhe do të vazhdojmë ta ndryshojmë,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri inauguroi një tjetër segment të rëndësishëm rrugor në fshatin Sul, të komunës Miras, që lidh qendrën e fshatit me rrugën kombëtare. Banorët e kësaj komune, - u shpreh Kryeministri - janë prodhues të shkëlqyer të perimeve dhe prodhimeve të tjera bujqësore. Në këtë fshat janë bërë edhe investime të tjera të rëndësishme si në kanalizime etj..
Kryeministri siguroi drejtuesit lokalë se qeveria është e vendosur të nxjerrë nga balta dhe të asfaltojë të gjitha rrugët, sikundër do të mbështesë të gjitha projektet e tyre për zhvillimin e komunitetit.