Kryeministri Berisha përuron dy shkolla të reja në fshatrat e rrethit të Korçës
- Kryeministri Berisha u shpreh se rruga e zgjedhur nga qeveria për zhvillim është rruga e miliarda eurove investime në fshatrat e vendit.
- Kryeministri Berisha theksoi se ndërtimi i shkollave të reja dhe përmirësimi i atyre ekzistueseve mbetet përparësi absolute e qeverisë, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të marrin arsimin që meritojnë.
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon” Kryeministri Berisha, vizitoi sot disa fshatra në rrethin e Korçës, ku mori pjesë në një sërë inaugurimesh të veprave publike, shkolla dhe rrugë, në këtë zonë.
Vizitën e tij, Kryeministri e nisi me inaugurimin e shkollës 9 vjeçare në fshatin Bllac, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 10 milion lekë, duke vazhduar më pas me inaugurimin e shkollës së mesme, në komunën Pirg, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 16 milion lekë.
Në bashkëbisedimin me banorët në fshatin Bllac, duke iu uruar atyre shkollën e re, kryeministri u shpreh se kjo shkollë së bashku me shkollën e mesme normalizon tërësisht arsimin e fëmijëve në këtë vend.
Duke theksuar se arsimi do të mbetet përparësi madhore e qeverisë shqiptare, kryeministri siguroi se do të bëhet çdo përpjekje që shkollat shqiptare të jenë të standardeve më të larta evropiane.
“Dua tu siguroj se do të bëjmë çdo përpjekje që fëmijët e fermerëve të kësaj zone dhe fëmijët e mbarë shqiptarëve të shkollohen në shkolla të mira, moderne, të pajisura me laboratorë informatike, me laboratorë te tjerë, me biblioteka cilësore, në shkolla, në të cilat përmbushin misioni e tyre, arsimtarë të përkushtuar dhe të kualifikuar.
Kryeministri vuri në dukje se mësuesit e nisin vitin e ri shkollor me një shtesë rroge , e cila në tre vjet qeverisje ka shënuar 78 %. Kryeministri tha se gjithçka është bërë për ti motivuar ata në misionin e tyre fisnik, përmes të cilit edukojnë brezin e ri.
Kryeministri Berisha garantoi përfaqësuesit e pushtetit vendor të fshatit Bllacë, se qeveria do të mbështesë çdo projekt të tyre për lehtësimin dhe modernizimin e jetës së banorëve.
“Me vjen mirë që është miratuar projekti i asfaltimit të rrugës suaj dhe që menjëherë do të tenderohet. Një rrugë tjetër shumë e rëndësishme që lidh këtë zonë me Zëmlakun do të fillojë së shpejti në 15 shtator me një investim 550 milion lekë.” u shpreh kryeministri.
Duke theksuar se pa infrastrukturë nuk zhvillim dhe të ardhme, Kryeministri u shpreh se po bëhet çdo përpjekje që fshati shqiptar të ketë infrastrukturën që meriton.
“Ne përpiqemi shumë tu sigurojmë infrastrukturën më të mirë, të tjerat ju i siguroni me punën djersën dhe përkushtimin tuaj që është frymëzim për cdo njeri. Edhe njëherë dua tu premtoj se do të mbështesim cdo projekt tuajin dhe dua ti siguroj fermerët e Korçës dhe të mbarë Shqipërisë se alternativa jonë për fshatin është alternativa më e shkëlqyer, e cila siguron zhvillimin e qëndrueshëm. Nuk ka zhvillim pa rrugë, pa ujësjellësa, pa kanalizime, pa agropërpunim. Këto janë fushat ku ne jemi përqendruar me të gjithë forcën tonë Sigurisht këto janë fushat më të kushtueshme, por ne po përballemi me to. – u shpreh kryeministri.
Ndërsa, në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve të Pirgut, Kryeministri theksoi se qeveria ka si përparësi madhore zhvillimin rural sepse ai është alternativa më e mirë dhe më e sigurtë për zhvillimin e tyre dhe të mbarë Shqipërisë.
“Fshati shqiptar trashëgoi një lumë të madh problemesh, dhe ju i njihni ato më mirë se unë sepse i përjetoni ato çdo ditë në jetën tuaj të përditshme, por qeveria ime është e vendosur të përqendrohet fuqishëm në zgjidhjen e tyre.”
Kryeministri theksoi se qeveria po e mban premtimin për asfaltimin e 4000 km rrugë në fshatra, premtim për të cilin shumë ishin mosbesues.
“Tre vjet më parë ne deklaronim se do të asfaltonim 4000 km rrugë të fshatrave, por të paktë ishin ata që e besonin , por ne e kemi bërë këtë premtim me bindjen më të thellë se nuk ka zhvillim të vërtetë pa rrugë të mira. E vërteta është se projekti i 4000 km rrugëve, kur ne i premtuam ishte një projekt i yni i hershëm me BB. Unë i jam shumë mirënjohës BB për këtë. Akti i parë që ne bëmë në fillim ishte se unë i kam kërkuar Bankës Botërore projektin për këtë rrugë. Natyrisht ky nuk u realizua vitin e parë, por sërish ne nuk humbëm kohë. Angazhuam fonde të mëdha nga buxheti i shtetit për të ngritur infrastrukturën në të gjitha fshatrat e vendit. Në ju garantoj ju se përgjigjja dhe investimet tona nuk do ju ndalen, derisa çdo qendër komune të lidhet me rrugë të asfaltuara me akset kombëtare, derisa fshatrat kryesore të çdo komune të lidhen me qendrën e komunës, nëpërmjet rrugëve të asfaltuara.
Kryeminisri theksoi se rrugët mbetetn vektorët më të sigurt të zhvillimit, nëpërmjet të cilave fermerët shqiptarë do të bëjnë të mundur nxjerrjen në treg me shpejtësi dhe me kosto më të ulët të prodhimeve të tyre.
Duke vlerësuar shkollën e mesme të Pirgut si një shkollë moderne të standardeve më të larta, kryeministri garantoi se qeveria nuk do të ndalet në përpjekjet e saj që fëmijët shqiptarë të marrin arsimimin që meritojnë. “Ne nuk po përqendrohemi vetëm në rrugë sepse kjo do të ishte e pamjaftushme sespe ne po nërtojmë shkolla moderne njësoj si kjo që po inaugurojmë sot, shkollë e cila qëndron me dinjitet përkrah çdo shkolle tjetër në Tiranë apo në çdo rreth tjetër. Edhe këto shkolla ne do ti pajisim me laboratorë të informatikës njësoj si shkollat në Tiranë apo kudo tjetër. Sepse ne kemi përparësi që fëmijët tanë të shkollohen ashtu siç duhet. Ne nuk do të pengojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve , por ne do të bëjmë që qytetarët tanë të mos largohen nga vendi ku kanë jetuar për shkak të rrugëve të këqija , për shkak të shkollave jo të mira.”
Kryeministri siguroi se premtimet e qeverisë do të mbahen edhe në të ardhmen, ashtu sic janë mbajtur deri më sot, duke zgjedhur si rrugë kryesore, rrugën e miliarda eurove investime në fshat.
“Sërish ju them se ne nuk i kemi zgjidhur të gjitha hallet që keni , por ju kemi zgjidhur ato më kryesoret. Kjo rrugë që kemi zgjedhur është rruga e miliarda eurove investime në fshat dhe nuk kas rrugë tjetër përvec kësaj. Do të bëjmë cdo përpjekje që prodhimet tuaja të mbushin jo vetëm tregjet e Shqipërisë, por edhe tregje të tjera.
Këtë vit është një lajm i mire për të gjithë ne, eksportet tuaja janë dyfishuar. Eksportet bujqësore në tërësi janë rritur. Këtë viti ju kemi shitur në tregjet shqiptare me çmime më të të larta se asnjëherë më parë. Kjo, sepse ka një qeveri që mendon për prodhimet tuja, për grurin tuaj, pra për cdo prodhim.
Sapo ne erdhëm në pushtet punuam për të mbajtur premtimin për të dyfishuar pensionet në fshat dhe ne po e bëjmë atë dhe vitin e ardhshëm do ta tejkalojmë ata. Dje unë vizitova Librazhdin. Unë e admiroj shumë punën tuaj, po përshtypje po kaq të thellë më bënë feremerët e Librazhdit, të cilat kanë tokat kodrinore, të cilat i kanë punuar pëllëmbë për pëllëmbë. Ne po ndërtojmë atje rrugët për të dalë në Peshkopi, sepse e gjithë ajo zonë ka pasuri minerale dhe ne po punojmë për një zhvillim të harmonishëm.”
Ndër të tjera, kryeministri ritheksoi se armiku më i egër për zhvillimin e vendit mbetet korrupsioni. Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi angazhimin e qytetarëve në një luftë të përbashkët, për ta luftuar atë me vendosmëri absolute.
“Ne i kemi përparësitë shumë të drejta. Kemi caktuar si përparësi arsimimin e fëmijëve tanë. Kemi vendosur si përparësi infrastrukturën bazë , e cila kërkon miliarda lekë, por edhe ne jemi një vend me buxhet miliarder. Buxheti që shkoi ishte 4. 2 miliard dollarë, i vitit që vjen është mbi 5 miliard dollarë dhe kjo nuk ka ndodhur duke rritur taksat , apo barrën mbi qytetarët. Ne e realizojmë këtë, sepse ne i vjelim taksat dhe nuk i vjedhim ato ne jkemi arritur shumë në luftën kundër korrupsionit, por ne do të dalim tërësisht jashtë tij , kur ju të dashur qytetarë do të vendosni ta luftojmë bashkërisht atë me vendosmëri absolute. Unë ju them se nuk kemi armik më të egër se korrupsioni. Kam bindjen më të thellë se ai është armiku më i egër i fëmijëve tuaj, armiku më i mirë i vendit, ndaj le ta luftojmë së bashku sepse të gjitha këto qe kemi kaluar do ti harrojmë krahasuar me atë zhvillim të shpejtë që do të arrijmë , me lëvizjen e lirë, me integrimin tonë në NATO me integrimin në BE.”