E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme në fshatin Progër

 - Kryeministri garantoi realizimin e të gjitha projekteve për zhvillim, në fshatin Progër, të cilat përfshijnë infrastrukturën, arsimin, bujqësinë, etj.

Kryeministri Berisha, në kuadër të turit  “Shqipëria po ndryshon” inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme në fshatin Progër, të rrethit të Korçës, i cili përkon me 100 vjetorin e themelimit të saj. Rikonstruksioni  me vlerë 25 milionë lekë, është investim i buxhetit të shtetit.

Kryeministri tha se shkolla e themeluar në vitin 1909, po rindërtohet plotësisht në 100 vjetorin e saj. Duke shprehur nderimin e tij më të thellë për mësuesit që hapën këtë shkollë dhe nxënësit që u ulën në bankat e saj 100 vjet më parë, Kryeministri vlerësoi traditën arsimdashëse të fshatit Progër.

“Ky është një fshat me një traditë të shkëlqyer arsimdashëse, me nje shkollë për Shqipërinë , relativisht të vjetër. Ne jemi të gatshëm ta përmirësojmë tërësisht këtë shkollë, me të gjithë laboratorët dhe pajisjet nevojshme , në mënyrë që në shekullin e dytë kjo shkollë të hyjë tërësisht moderne.”

Më pas, në një bashkëbisedim me banorët e këtij fshati, Kryeministri siguroi se qeveria do të financojë të gjitha projektet për fshatin Progër. Kryeministri tha se do të asfaltohet tërësisht rruga që lidh fshatin me rrugën nacionale, do të sistemohen rrugët e brendshme të fshatit, pasi Progri është një qytezë e bukur dhe jo thjesht një fshat, u shpreh kryeministri.

Ndër të tjera, Kryeministri ritheksoi se qeveria po bën përpjekjet më të mëdha për suksesin e fermerëve të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë, duke zgjedhur si shtylla kryesore të zhvillimit rural, rrugët, ujësjellësat, shkollat, kanalizimet, etj. Nuk mund të ketë zhvillim pa realizmin e këtyre objektivave. – përfundoi kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›