Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e rrugës së Rrajcës
Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës së fshatit Rrajcë, në rrethin e Librazhdit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 20 milionë lekë.
Kryeministri garantoi kryetarin e komunës së Rrajcës se pavarësisht dallimeve politike, qeveria do të mbështesë çdo projekt të tij që synon lehtësimin e jetës së banorëve të kësaj komune. “Në qoftë se me kryetarin e komunës tuaj na ndajnë partitë na bashkoni ju , na bashkon Rrajca, na bashkojnë interesat tuaja, ndaj unë ju premtoj se kjo rrugë që inauguruam sot do të vazhdojë deri në bashkimin me aksin kombëtar”, u shpreh Kryeministri Berisha duke iu adresuar banorëve të Rrajcës.
Kryeministri Berisha premtoi gjithashtu se së shpejti në këtë komunë do të ngrihet sistemi i vaditjes dhe i kërkoi kryetarit të komunës që të përgatisë projektin për këtë dhe qeveria do të japë paratë.
“Unë ju përgëzoj për projektin e shkollave këtu dhe ju garantoj se për çdo projekt shkolle për zonën ju do të merrni financimin e duhur nga qeveria”, tha Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri i kërkoi kryetarit të komunës dhe ministrit të Punëve Publike dhe Transportit të nisin punën për projektin e ujësjellësit të kësaj zone, dhe garantoi se qeveria do ta financojë atë. “Unë vlerësoj punën tuaj ku gjen frymëzimin më të madh sepse ju punoni në kushte të vështira. Ajo që mund të bëjmë ne për ju janë shkolla moderne që ju të mos gjeni vështirësi për arsimimin e fëmijëve tuaj , rrugë moderne që ju të nxirrni prodhimet tuaja në treg sa më shpejt, infrastrukturë moderne që pasuritë tuaja të marrin vlerën që meritojnë”, u tha më tej Kryeministri Berisha banorëve të Rrajcës.
Duke i falenderuar për pritjen e ngrohtë vëllazërore, Kryeministri i siguroi banorët se do të vizitojë sërish këtë komunë për të inauguruar realizimin e projekteve të tjera.