E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron ujësjellësin e ri të komunës së Qukësit

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të komunës së Qukësit në Librazhd, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 27 milionë lekë.
  
Duke i falenderuar banorët e kësaj zone për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore që i bënë, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij për zonën si një pasuri e madhe shpirtërore e kulturore. 
Kryeministri garantoi qeveritarët vendorë të Qukësit, se qeveria do të mbështesë çdo projekt për lehtësimin e kushteve të jetesës për banorët e zonës. 

“Këtë ditë unë do ta kaloj në fshatrat e Librazhdit. Isha në fshatin Polis ku i dhashë fjalën kryetarit të komunës që do të fillojë menjeherë asfaltimi i rrugës. E gjithë unaza verilindore dhe juglindore e vendit do të shndërrohet në një rrugë të standardeve më të mira. Kjo është një rrugë e gjatë, por e domosdoshme sepse ka zonat malore turistike më të mira të vendit, kap zonat më të pasura me miniera, ujëra dhe pasuri të tjera. Ne jemi të vendosur ta përfundojmë këtë rrugë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke u ndalur në projektet për këtë zonë Kryeministri theksoi se për Qukësin u realizua projekti për asfaltimin e rrugës, ndërsa u kërkoi qeveritarëve vendorë që të paraqesin projekte të reja për zhvillimin e zonës. 
Kryeministri shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë për të asfaltuar rrugët në të gjtha zonat ku ka fermerë dhe qytetarë shqiptarë. Gjithashtu kryeministri tha se do të investohet edhe në kanalin vaditës të kësaj zone për t`u ardhur në ndihmë fermerëve për të rritur prodhimet e tyre. 

Kryeministri theksoi se qeveria është e angazhuar në një betejë të madhe në luftën kundër korrupsionit duke nënvizuar se asgjë nuk e dëmton lirinë dhe të ardhmen e qytetarëve më shumë se sa tirania dhe korrupsioni.“Tiraninë e kemi lënë pas korrupsionin po e luftojmë dhe do të vazhdojmë ta luftojmë me sukses. Kjo luftë ka bërë të mundur që qeveria në tre vjet të ketë 700 milionë dollarë më shumë se sa ka vjelur qeveria e mëparshme në 6 vjet. Unë ju siguroj se vitin e ardhshëm me këtë luftë kundër korrupsionit megjithë uljen e jashtëzakonshme të taksave, të ardhurat në këtë vend në katër vjet do të jenë më të mëdha se sa ishin të ardhurat në 8 vite të marra së bashku të qeverisë së mëparshme”, u shpreh Kryeministri. Ne, tha Kryeministri, do t`i kthejmë këto në rrugë, në shkolla, në spitale, në ujësjellësa, kanalizime, rroga e pensione, do t`i kthejmë ato në mirësi për çdo qytetar shqiptar.

Duke nënvizuar se lufta kundër korrupsionit ka krijuar mundësi të mëdha për investime të mëdha, Kryeministri ftoi qytetarët që të vazhdojnë mbështetjen për këtë betejë.   
Kryeministri i siguroi banorët e kësaj zone se qeveria do t`u mundësojë atyre që pasuritë e tyre të ecin më shpejt drejt tregut dhe kompanitë e mëdha të investojnë në të gjitha burimet e tyre, turistike, ujore e minerare.   

Unë tha Kryeministri, kam qenë në Çermenikë dikur dhe ju jeni vetë dëshmitarë sa e vështirë ishte dikur dhe vazhdon të jetë ende sot për të shkuar atje. Por rruga që po ndërtojmë, shtoi Kryeministri, do t`ju japë atyre aksesin më të shpejtë në rrugën kombëtare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›