E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron përfundimin e rrugës që lidh qytetin e Laçit me autostradën Milot-Tiranë, një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë

Gjatë vizitës në qytetin e Laçit, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e rrugës që lidh këtë qytet me autostradën Milot-Tiranë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 196 milionë lekë. Kryeministri Berisha u shpreh, gjatë ceremonisë, se ndërtimi i kësaj rruge është një tjetër investim dhe premtim i mbajtur i qeverisë.

“Inauguruam rrugën që lidh qytetin e Laçit me autostradën Milot-Tiranë, një investim 196 milionë lekë. Ky është një tjetër investim dhe premtim i mbajtur i qeverisë time”, u shpreh Kryeministri.

Rruga që lidh Laçin me autostradën është njëkohësisht segment i rrugës Laç-Patok në ndërtim, ku janë ndërtuar 1.5 kilometrat e parë të saj.  “Dua t’ju informoj se po punohet në rrugën drejt plazhit të Patokut. Janë ndërtuar rreth 1.5 kilometrat e parë të saj, ndërsa pjesa tjetër është në projektim dhe brenda vitit që vjen, kjo rrugë shkon deri në plazhin e Patokut, një nga zonat më të bukura të bregdetit të Adriatikut”, vijoi Kryeministri Berisha.

Duke folur për rëndësinë e autostradës Milot-Tiranë, Kryeministri u shpreh se qeveria së shpejti përfundon projektin për ta bërë atë me katër korsi dhe sipas standardeve më moderne infrastrukturore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›