E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Brenda vitit 2008 do të përfundojnë 120 km rrugë në rrethin e Sarandës

-Investimet në Sarandë  e kanë shndërruar atë në një rajon europian

Gjatë vizitës në Sarandë Kryeministri Berisha u takua me banorë dhe drejtues të pushtetit vendor të  Bashkisë së Konispolit.
Kryetari i Bashkisë së Konispolit pasi i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha tha se me fillimin e punimeve të aksit rrugor Konispol-Qafë Botë, ëndërra e banorëve të Konispolit shndërrohet në realitet.

Kryeministri Berisha tha se brenda vitit 2008 do të përfundojnë  120 km rrugë në rrethin e Sarandës ndërsa theksoi se krahasuar me vitin 2004 kur invesimet në këtë rreth ishin 11 miliardë lekë sot ato janë rritur në 89 miliardë.
“Brenda vitit 2008 do të mbyllen 120 km rrugë në rrethin  e Sarandës. Ju siguroj se shumë projekte të tjera janë dhe do të jenë për këtë zonë. Saranda u shndërrua vitin e kaluar në qendër turistike dhe këtë vit do të jetë po e tillë me më shumë turistë. Investimet do t`i përqëndrojmë në zhvillimet në infrastrukturë. Nëse në vitin 2004 janë vetëm 11 miliardë lekë investime sot janë rreth 89 miliardë lekë investime”, nënvizoi më tej Kryeministri.

Kryeministri Berisha tha se rruga që nis sot punimet është një rrugë me rëndësi jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, duke e bërë rajonin të funksionojë si një rajon europian. Si rrugë rajonale vijoi më tej Kryeministri Berisha, duke patur standarde europiane, ajo do të sjellë zhvillim për zonën dhe do të fuqizojë rajonin duke e lidhur atë me Greqinë.  

“Kjo rrugë bën që ky rajon të funksionojë si një rajon i vetëm europian. Të ndërtojmë projekte të përbashkëta zhvillimi , të koordinojmë përpjekjet për të përmirësuar gjithnjë e më shumë jetën e qytetarëve. Europa në të cilën ne po punojmë për t`u integruar është Europa e kombeve, por njëherësh edhe Europa e rajoneve dhe për të funksionuar, rajonet, duhet të krijojnë lidhje të fuqishme”, u shpreh Kryeministri Berisha.        

Duke e vënë theksin tek peisazhi i bukur i zonës, Kryeministri Berisha tha se këto potenciale turistike e bëjnë të domosdoshëm zhvillimin e infrastrukturës moderne, sepse ky peisazh mund të bëhet i dobishëm vetëm duke patur infrastrukturë moderne për qytetarët e vet dhe për turistët  dhe duke marrë famën që i takon.  Kryeministri theksoi se infrastruktura ka përbërë deri tani një pengesë serioze për zhvillimin e zonës, por shprehu angazhimin e plotë  se qeveria po bën çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë situatë.

Më tej Kryeministri Berisha garantoi përfaqësuesit e pushtetit vendor se brenda muajit maj, qeveria do të kalojë në pronësi të komunave dhe bashkive pyjet dhe kullotat në kuadër të përmbushjes së reformës së decentralizimit. “Ne në çdo mbledhje qeveria miratojmë jo më pak se 15 vendime për kalime pronash”, tha Kryeministri Berisha duke shprehur edhe njëherë angazhimin e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës së kësaj bashkie.

Lidhur me çështjen e furnizimit me ujë, Kryeministri theksoi se funksionimi i sistemit të pompimit do ta zgjidhte përfundimisht këtë problem.   

Kryeministri gjithashtu tha se do të zgjidhet edhe vendosja e një poste policie në Bashkinë e Konispolit, për shkak të largësisë që kjo bashki ka me komisariatin e Sarandës. “Distanca nga komisariati i policisë e bën të domosdoshme funksionimin e Postës së Policisë në këtë zonë.  Është shumë normale që një bashki që është 40 km nga komisariati të ketë postën e saj të policisë dhe ne do i kërkojmë ministrisë ta sjellë sa më shpejt”, nënvizoi më tej Kryeministri. Gjithashtu

Kryeministri Berisha  theksoi se qeveria do të vazhdojë të ketë si prioritet të saj investimet në arsim dhe shëndetësi.
 Nga ana e tyre banorët e Bashkisë së Konispolit duke falenderuar Kryeministrin Berisha i shprehën atij mirënjohjen për premtimet e mbajtura për zhvillimin e infrastrukturës së zonës.  Gjithashtu ata shprehën besimin se qeveria do të përmbushë të gjitha premtimet e dhëna për këtë zonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›