E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon Misionin faktmbledhës të Ministrisë së Punëve të Jashtme Daneze

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me misionin faktmbledhës te Ministrisë së Punës së Jashtme  Daneze, të përbërë nga Ministri Këshilltar, zoti Jorgen V. Andersen dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Programit të Fqinjësisë,  zoti Thomas Djurhuus, të cilët shoqeroheshin nga ambasadori danez në Shqipëri, zoti Niels Severin Munk.

Në fillim të takimit, Kryeministri Berisha falënderoi nëpërmjet përfaqësuesve të misionit, qeverinë daneze për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në fusha të ndryshme.
Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me ecurinë e një sërë reformave të rëndësishme për vendin, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek reforma ekonomike  dhe ndryshimet pozitive që ka sjellë ajo në zhvillimin e biznesit. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se një sërë masash të rëndësishme janë ndërmarrë nga qeveria për krijimin e një klime të përshtatshme për investuesit, si krijimi i ONE STOP SHOP, si dhe  digjitalizimi i një sërë proceseve të rëndësishme, të cilat kanë lehtësuar biznesin dhe kanë eliminuar në mënyrë të ndjeshme procedurat burokratike.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e misionit faktmbledhës, duke falënderuar Kryeministrin për mikpritjen u interesuan për fushat në të cilat mund të fokusohet ndihma e tyre. Diskutimet u përqendruan në  mënyrë të veçantë, në mundësinë për investime në agrobiznes, turizëm, arsim, zhvillimin e mjedisit, energji, etj.

Duke vlerësuar interesin e tyre, Kryeministri siguroi se investitorët danezë do të  gjejnë tek qeveria shqiptare të gjithë mbështetjen e nevojshme dhe tek Shqipëria vendin më të përshtatshëm për investime dhe realizimin e projekteve të tyre në fusha të ndryshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›