Kryeministri Berisha: Do të shtrihet interneti në çdo shkollë të Shqipërisë dhe çdo fëmijë shqiptar do të lundrojë në internet
Kryeministri Berisha, në fjalën e tij përpara të rinjve demokratë u ndal në përpjekjet dhe arritjet e qeverisë për shtrirjen e rrjetit të internetit në të gjithë sistemin shkollor shqiptar si dhe në reformën e gjërë arsimore që po kalon vendi, duke përmbushur kështu edhe një premtim elektoral te Partisë Demokratike.
Kryeministri Berisha tha se sot interneti mundëson për studentet kushte më komode. Ky program që u pa me skepticizëm, vijoi Kryeministri, është kompletuar përfundimisht në shkollat e mesme dhe brenda viti do të kompletohet në çdo shkollë të Shqipërisë, dhe ky është vetëm hapi i parë për të sjellë vendin në moshën digjitale.
“Dy vjet e gjysëm më parë ne konstatuam se numri i studentëve ishte 4 herë më vogël se në vendet e BE-së. Për këtë arsye një nga përqendrimet më kryesore që në vitin e parë të qeverisjes ne e bëmë në arsim. Hapëm dyert e universiteteve ku pikët dhe vetëm pikët përcaktonin pozicionin. Sot ne kemi mbi 100 mijë studentë jemi larg jo 4 herë, por 2 herë nga vendet e tjera të BE-së. Ne do të arrijmë në mënyrë të pashmangshme tek 140 mijë studentë në vend. Kemi vendosur të investojmë në arsim, të dyfishojmë buxhetin, e kemi bërë këtë në mënyrë që të vendosim dinjitetin e mësuesve tuaj.”-tha më tej Kryeministri Berisha.
Gjithashtu Kryeministri Berisha u ndal në punën e qeverisë për të zbatuar me sukses reformën në arsim. Kështu Kryeministri tha se në dy vjet janë rritur me 50% rrogat e arsimtarëve, rroga të cilat më tej do të dyfishohen. Do të krijohen një seri konviktesh në mbarë vendin si dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet që çdo fëmije shqiptar që mbaron arsimin e detyrueshëm ti krijohet mundësia e plotë për të ndjekur arsimin e mesëm dhe dyert e universiteteve të jenë të hapura.
“Javën që kaloi ne hapëm në universitetet tona 400 vende pune të reja dhe jemi të gatshëm të hapim dhe 4 mijë vende të reja pune në mënyrë që ju të mësoni në këto universitete si bashkëmoshatarët tuaj në Europë.”- u shpreh Kryeministri Berisha
Kryeministri Berisha garantoi se studentët më të shquar do të marrin bursa për të mbrojtur gradat shkencore në universitetet më të mira të botës si dhe do të bëhen përpjekje për të sjellë nga mbarë bota mendjet e shquara shqiptare për të kontribuar për vendin e tyre.