VENDIM PËR IMPORT-EKSPORTIN E BURIMEVE TË RREZATIMIT JONIZUES NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
V E N D I M
PËR
IMPORT-EKSPORTIN E BURIMEVE TË RREZATIMIT JONIZUES NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 82, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 3 e 7, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Burimet radioaktive, që do t’i nënshtrohen procedurave të import-eksportit, si dhe pajisjet dhe sistemet, ku ato inkorporohen, janë përcaktuar në listën e miratuar nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet, pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
2. Veprimet në pikat doganore për import-eksportin e burimeve të rrezatimit jonizues kryhen vetëm pasi personat, fizikë apo juridikë, të kenë paraqitur dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Licencë për veprimtari import-eksporti me burime të rrezatimit jonizues, lëshuar nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi.
b) Leje për import-eksportin e burimeve jonizuese, përkatësisht,:
- për burimet e kategorive 1 e 2, lëshuar nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi.
- Për burimet e kategorive 3, 4 e 5 dhe të gjeneratorëve me rrezatim x, të lëshuar nga zyra për mbrojtjen nga rrezatimet.
c) Certifikatën e cilësisë së gjeneratorëve me rreze x, lëshuar brenda dy viteve të fundit, nga çasti i importimit.
3. Vendimi nr.56, datë 24.2.2000, i Këshillit të Ministrave, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA