E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Liria është pasuria më e madhe dhe më e çmuar për njeriun

Gjatë fjalës së mbajtur përpara anëtarëve më  të rinj të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal në vlerat universale që mbart dhe përfaqëson liria në Partinë Demokratike dhe në qeverisjen e vendit.

Duke ju uruar të rinjve mirëseardhjen në Partinë Demokratike dhe tek parimet që të rinjtë besojnë  dhe kanë vendosur të mbrojnë dhe zhvillojnë në jetën e tyre politike, Kryeministri Berisha u shpreh se ata kanë bërë zgjidhjen më të shkëlqyer, duke e thënë këtë jo vetëm vetëm si kryetar i kësaj partie, por nisur nga një bindje e thellë, e cila tek çdo njeri krijojet nga raportet e tij me lirinë.

 “Ju sot anëtarësoheni në një parti, e cila u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore. U themelua si parti e vlerave më të çmuara të njeriut. Ata që themeluan në dhjetor të vitit 1990 Partinë Demokratike, ishin moshatarët tuaj bashkë me një grup pedagogësh dhe intelektualësh që vendosën të themelojnë partinë e parë opozitare në vendin më totalitar të Europës, në vendin e lirive dhe të drejtave njerëzore të ndaluara me kushtetutë, në vendin ku regjimi kishte bërë përpjekje demoniake për të ndaluar dhe vetë zotin, në vendin e zhytur në izolimin më të thellë në tërë historinë e tij.

Këta të rinj dhe këta intelektualë, që në dhjetor të vitit 1990 themeluan Partinë Demokratike, vendosën si mision të saj kryesor krijimin e shoqërisë së lirë në Shqipëri, shoqërisë ku respektoheshin të drejtat dhe liritë njerëzore, iniciativa e lirë dhe besimi fetar.

Pra, nisi rruga e ndërtimit të lirisë dhe vlerave të saj dhe në themel të kësaj nisme ishte shpirti, energjia, pastërtia dhe ëndërrra e të rinjve shqiptarë”, tha Kryeministri Berisha.

Në vazhdim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk ka pasuri më të madhe për njeriun se sa liria, por nuk ka pasuri më delikate se liria gjë që nënkupton se duhet një kujdesje e vazhdueshme dhe konstante për respektimin e saj.

Kryeministri Berisha shtoi se dy e vjet e gjysëm më parë, Partia Demokratike sërish mbarti në programin e saj, programin e lirisë dhe vlerave të saj.

Kryeministri Berisha ju referua më pas Raportit të fundit të Komisionit Europian i cili është raporti i parë që thotë se qeveria në tërësi ka respektuar të drejtat dhe liritë e individit. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha shtoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që sido që të shkruajnë dhe çfarëdo që të thonë, sado t`a përdorin mirë apo keq të drejtën e tyre, kurrë nuk duhet të harrojmë se pa gazetarët nuk mund të ketë liri dhe demokraci.

E rëndësishme dhe kryesore, vijoi Kryeministri Berisha, është e drejta e fjalës, por po kaq e rëndësishme është të respektosh edhe lirinë ekonomike të tjetrit, iniciativën e lirë të tjetrit. Përsa i përket lirisë ekonomike, Shqipëria lë pas vende shumë të zhvilluara.

Kryeministri iu referua në këtë kontekst, një seri raportesh, të cilat e nxjerrin Shqipërinë në krye të listës përsa i përket lirisë fiskale, e rreshtojnë Shqipërinë në një nga pozicionet më të lakmueshme të lirisë ekonomike. Këto raporte vijnë pas një deklarimi tjetër që bën Raporti i

Komisionit Europian, i cili në nënkapitullin “ekonomi tregu funksionuese” shkruan se “kjo qeveri respekton dhe ndjek standardet liberale, direkt apo indirekt nuk ndërhyn në sektorin privat”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›