E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Pavarësia e Kosovës hap një kapitull të ri paqeje mes kombit shqiptar dhe kombit serb


Kryeministri Berisha deklaroi sot  se pavarësia e Kosovës i jep fund një historie koloniale në Ballkan dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes kombit shqiptar dhe kombit serb, pavarësisht nga historia e hidhur që kanë kaluar.


Duke folur gjatë një aktiviteti  me rastin e anëtarësimit të një grupi të rinjsh në radhët e Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha theksoi se kjo ngjarje koinçidon me ngjarjen më të madhe të kombit shqiptar që nga viti 1912, e cila do të ketë një ndikim themelor në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.    

“Ju jeni dëshmitarë se Ballkani i viteve të shkuara ishte Ballkani i  konflikteve të egra, viktimat më të shumta, të të cilëve ishin shqiptarët e Kosovës. Lumenjtë e gjakut u derdhën në Kosovë për pavarësinë e Shqipërisë. Por, pavarësisht përpjekjeve të tyre të pashembullta në historinë e Europës, ata mbetën nën pushtim. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës merr fund një histori koloniale, hapet një kapitull i ri paqeje, stabiliteti e  integrimi rajonal dhe europian, hapen mundësitë për një kapitull të ri mes dy kombeve; kombit shqiptar dhe atij serb, të cilët pavarësisht nga historia tejet e hidhur, kanë një rrugë; atë që kanë ndjekur kombet e qytetëruara europiane për ndërtimin e një të ardhmeje të re në paqe, stabilitet e prosperitet, dhe për këtë ne jemi thellësisht të angazhuar”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në këtë kontekst Kryeministri Berisha duke iu drejtuar të rinjve të sapoanëtarësuar në Partinë Demokratike, u shpreh se ata kanë fatin e madh të marrin këtë vendim të rëndësishëm politik të jetës së tyre në një sfond feste për të gjithë shqiptarët.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›