Kryeministri Berisha: Do vizitoj gjithë Shqipërinë për të bashkëbiseduar me qytetarët
Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë vizitës në Sarandë se do të vazhdojë një tur vizitash në gjithë Shqipërinë për të bashkëbiseduar me qytetarët lidhur me projektet e qeverisë, si dhe për t’i njohur ata me atë çfarë po bën qeveria për zhvillimin e vendit në të gjithë sektorët, në infrastrukturë, në shkolla, në biznese, në proceset integruese, etj.
“Kam pasur disa arsye që më kanë mbajtur disi të shkëputur nga terreni, sepse jam detyruar të udhëtoj shumë jashtë shtetit, për shkak të procesit për në NATO. Por tani do ta vizitoj Shqipërinë pëllëmbë për pëllëmbë dhe kam shumë kënaqësi, pasi kudo që shkoj, gjej një Shqipëri absolutisht në ndërtim. Vetëm në Sarandë dhe Delvinë janë në tërësi në ndërtim 150 km rrugë. Por, nëse shkojmë në Korçë gjejmë të njëjtën situatë, në Peshkopi, Kukës, Tropojë, Lushnjë, Fier, etj. Taksat e qytetarëve shqiptarë po shkojnë në rrugë, ujësjellës - kanalizime, pra në kushte normale për jetesën e tyre. Ju do ta ndiqni këtë tur, që nuk do të ndalet tani e tutje”, u shpreh Kryeministri.
I pyetur nga gazetarët nëse ky tur do të jetë “një dialog me Shqipërinë”, Kryeministri Berisha tha se ky tur “do të jetë një takim me qytetarin”.
“Shqipëria është e të gjithë qytetarëve, nuk është prona ime. Detyra ime është të bisedoj me qytetarët shqiptarë. T’u dëshmoj atyre se cilat janë projektet e qeverisë dhe çfarë po bën qeveria me taksat e tyre, se si po përdor qeveria paratë e taksapaguesve. Ky është raporti im më i rëndësishëm me qytetarët. Kryetari i LSI-së Meta ka hallin e referendumeve, por le të vijë e të bëjë një referendum për banorët e bregut. Nuk ka banor në breg që nuk do të votonte për këtë rrugë. Ky është referendumi. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve, ndërsa unë do të bëj një takim me ta dhe do t’u raportoj se çfarë po bëjmë ne, cilat janë projektet tona, qoftë në infrastrukturë, në shkolla, në biznese, në proceset integruese. Shqiptarët duhet të lëvizin lirshëm, me viza, si gjithë evropianët. Por evropianë pa rrugë të ndërtuara nuk ka. Ne po bëjmë rrugët, po plotësojmë të gjitha standardet dhe po u afrohemi atyre qëllimeve që kemi”, nënvizoi Kryeministri.