Kryeministri Berisha: Ndërtimi i rrugës Dhërmi – Sarandë i jep zonës së bregut çertifikatën europiane që meriton
Kryeministri Berisha inspektoi sot pasdite ecurinë e punimeve në segmentin rrugor Qeparo – Sarandë, pjesë e rrugës në ndërtim Dhërmi – Sarandë. Kjo rrugë është e ndarë në 7 lote. Ndërtimi i lotit të pestë Qeparo – Sarandë, i vizituar nga Kryeministri, kap një vlerë 330 milion, me gjatësi 7.3 km. Në total, rruga Dhërmi – Sarandë ka një gjatësi prej 60 kilometra dhe vlera për ndërtimin e saj shkon 3.6 miliardë lekë.
Kryeministri tha se ky është njëri nga lotet e rrugës së bregut, e cila këtë vit është në rindërtim në trajektoren e saj prej 60 kilometra. “Në rast se 8 vite me radhë nga qeveritë e mëparshme u ndërtuan realisht 16 km, pra nga Dukati deri në kthesën e Llogorasë, në Palasë, vetëm këtë vit, ne, finalizojmë për ndërtim të plotë 60 km të kësaj rruge, një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme për potencialin e madh turistik të Shqipërisë”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi se bregu jonian i Shqipërisë është një mrekulli e vërtetë natyre, ndaj rruga e re që po ndërtohet i jep kësaj zone certifikatën europiane që meriton. “Rruga është e standardeve ndërkombëtare, ajo lehtëson shumë qarkullimin e banorëve, por edhe të turistëve nga mbarë bota. Kjo rrugë bën të mundur që bregu jonian për shqiptarët të bëhet e famshëm, i njohur në mbarë botën”, vijoi Kryeministri.
Më tej, Kryeministri përgëzoi të gjitha kompanitë për punën serioze që kanë bërë, punëtorët, inxhinierët, projektuesit, etj. Por Kryeministri përshëndeti edhe ministrinë e Punëve Publike e cila, sipas tij, “bëri avokatinë më të mirë të prokurimit të plotë të gjithë trajektores së kësaj rruge të vonuar, të shtyrë në mënyrë të pa justifikueshme, nga viti në vit”
“Me këtë rrugë, si dhe me segmentin tjetër të cilin sapo e inauguruar sot në mëngjes, Konispol- Sarandë, infrastruktura rrugore e kësaj zone, merr përgjigje të standardeve më të mira. Tani mbetet ndërtimi i aeroportit të Sarandës. Duhet të shpejtojmë me këtë projekt. Të hedhim më treg me konçension aeroportin e këtij qyteti, pasi ashtu siç vijnë Crocera-t nga deti, duhet të vijnë edhe charter-at nga ajri. Në këtë mënyrë, jam i sigurt se Saranda do të mund të krahasohet me epërsi me të gjitha resurset më të bukura të planetit”, u shpreh Kryeministri.
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve nëse ndërtimi i rrugës së bregut është një lëvizje elektorale, e ngjashme me atë që ish Kryeministri Ilir Meta bëri me ndërtimin e rrugës së Palasës, para zgjedhjeve të atij viti, Kryeministri Berisha u përgjigj: “Zoti Meta e bëri këtë rrugë për shkak të disa pronave që grabiti në Palasë. Por, ai vendim është anuluar. Rrugën po e bëjmë ne. Unë nuk jam në fushatë elektorale, por jam në punë”