Kryeministri Berisha: Qeveria do të mbështesë çdo kërkesë të fermerëve, me synim fuqizimin e prodhimeve vendase
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Kryeministri i përgëzoi ata për vullnetin e dëshmuar për të ndryshuar dhe zhvilluar zonën e tyre, ndërsa u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo kërkesë dhe nevojë të tyre, për t’u lehtësuar aktivitetin dhe për të nxitur eksportin e prodhimeve të tyre.
Gjatë vizitës në fermën e kryetarit të Komunës së Xarës, zotit Dhimo Kote, Kryeministri vlerësoi sipërmarrjen e ngritur prej tij si një aktivitet konkurrues evropian. “Të gjithë fermerëve që kam takuar sot ju kërkova që të paraqesin kërkesat e tyre dhe u zotova se ne do t’i mbështesim ato. Motoja jonë është të punojmë së bashku e ta bëjmë Sarandën evropiane. Me këtë fermë që keni ngritur, keni dëshmuar një vullnet të hekurt për të ndryshuar dhe zhvilluar këtë zonë, duke i besuar kësaj zone, zhvillimeve dhe potencialeve të saj”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se për këtë qëllim edhe qeveria po mbështet ndërtimin e infrastrukturës në këtë zonë. “Rrugën ju nuk e kërkuat për vete, por për zhvillimin e kësaj zone, ndaj rruga do të bëhet. Kjo është rruga e parë dhe më vjen shumë mirë që qarku i Vlorës ka miratuar një vendim të drejtë, në këtë aspekt”, vijoi Kryeministri.
Nga ana e tyre, fermerët falënderuan Kryeministrin për vizitën dhe për mbështetjen e treguar, ndërsa e informuan se në këtë zonë ka potenciale të mëdha kryesisht me agrume e frutikulturë. Ata theksuan se kanë nisur tashmë që një pjesë të konsiderueshme të prodhimeve ta eksportojnë, duke hyrë kështu edhe në tregun evropian. Ata shprehën besimin se ndërtimi i rrugës do të rrisë edhe më shumë eksportin e tyre me vendet e tjera fqinj e më gjerë.
Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Bujqësisë që të mbështesë dhe ndihmojë fermerët në procesin e lidhjeve të kontratave të tyre me sipërmarrje të huaja. “Ne kemi përkushtim maksimal për ngritjen e infrastrukturës. Tani inaugurojmë fillimin e punimeve Konispol – Sarandë. Nga Himara deri në Konispol, përfshi edhe këtë segment rruge e disa të tjerë, janë 120 km rrugë që modernizohen e bëhen rrugë evropiane. Gjendja e tyre është bërë një pengesë e rëndë për zhvillimin dhe kushton aq shumë në transport saqë i bën tregtarët të shohin mundësi të tjera. Ndërtimi i saj i jep mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm turizmit, por edhe bujqësisë, ndaj rruga do të bëhet, sepse ne mbështesim punën, pavarësisht përkatësive partiake”, tha Kryeministri.
Më tej, Kryeministri Berisha tha se komuna Xarë do të jetë një nga përfitueset e projekteve të qeverisë për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, në mënyrë që fermerët të shtojnë numrin e sipërfaqeve të mbjella me agrume, të fuqizojnë prodhimin dhe tregun shqiptar.
Gjithashtu, Kryeministri tha se qeveria do të mbajë premtimin për investimet në ndërtimin e rrugëve rurale “Ne nuk do të lëmë asnjë rrugë rurale pa rregulluar, në mënyrë që të fuqizojmë tregun. Kemi dyfishuar fondin për grantet për frutikulturën, për ullinjtë, kemi vendosur rimbursimin e TVSH-së 6 për qind dhe do të kërkoja mbështetjen tuaj që këtë praktikë ta konsolidojmë, si një praktikë evropiane dhe një ndihmë direkt për fermerët”, u shpreh Kryeministri Berisha.