E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punës analizon punën e bërë gjatë vitit 2007

Barka: Prioriteti i Inspektoriatit kaloi nga lufta kundër informalitetit, drejt mbrojtjes dhe garantimit të kushteve të punës

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta zhvilloi sot analizën e punës së saj dhe institucioneve të varësisë, për periudhën janar-dhjetor 2007. Analiza vjetore u drejtuar nga Ministri Kosta Barka, i cili u fokusua në prioritetet e Ministrisë gjatë vitit që sapo u mbyll dhe disa prej arritjeve dhe problemeve të hasura. Raporti i plotë i analizës së institucionit u paraqit nga Zv/Ministri Kastriot Sulka.

Gjatë analizës u theksua se prioriteti i prioriteteve të MPÇSShB, gjatë vitit 2007, ka qenë zhvillimi i politikave dhe marrja e masave për dinamizimin e tregut të punës. Kjo është synuar të arrihet nëpërmjet dy rrugëve: uljes së nivelit të papunësisë dhe rritjes së nivelit të zënies me punë të popullsisë aktive. Ky ka qenë orientimi i politikave të zhvillimit të tregut të punës, duke u nisur si nga vlerësimet tona, ashtu edhe nga rekomandimet e Bankës Botërore, sipas të cilave punëzënia e popullsisë aktive mbetet një ndër vulnerabilitetet e politikave të zhvillimit ekonomik e social në vendet e rajonit dhe vendet në tranzicion.

Fokusimi në këtë profilizim të politikave të tregut të punës është gjithashtu në koherencë me standartet e politikave të punësimit të BE, të cilat kërkojnë që problemet demografike dhe të zhvillimit të popullsisë që përjeton aktualisht Evropa, të përballohen jo thjesht me masa komplementare sociale, por me ndryshime rrënjesore ekonomike dhe strukturore.

Në këtë mënyrë, Ministria po punon për konsolidimin e sinergjisë midis zhvillimit ekonomik dhe rritjes së nivelit të zënies me pune të popullsisë, duke synuar që ulja e papunësisë të jetë rezultat i natyrshëm i rritjes ekonomike, pasi gjatë dekadës së fundit ritmet e rritjes së punëzënies nuk kanë ecur paralel me ritmet e rritjes ekonomike.

Në këtë kontekst dhe në funksion të këtij objektivi janë inkuadruar masat për zhvillimin e tregut të punës, hartimi ose rishikimi i dokumenteve të politikave, planet e veprimit për implementimin e tyre, si edhe zbatimi i programeve aktuale për nxitjen e punësimit, rritjen e zënies me punë dhe uljen e papunësisë.

Një ndër elementët inovative të nxitjes së punësimit të aplikuar gjatë vitit 2007 ishte zbatimi i programeve të praktikave profesionale për punëkërkuesit e papunë me arsim të lartë, që pilotua në Tiranë. Nga ky program përfituan rreth 250 studentë të regjistruar, të cilët zhvilluan praktikën në subjekte shtetërore dhe private. Kjo përvojë tregoi se, pa nënvlerësuar grupet nevojtare dhe minoritare të popullsisë, duhet të mbahen më mirë në fokus çështjen e zënies me punë të pjesës më aktive dhe më të arsimuar të popullsisë.

Një tjetër arritje në këtë drejtim është konsolidimi i qendrave të formimit profesional në rrethet jashtë Tiranës. Gjatë vitit 2007, për herë të parë, filloi nga aktiviteti Qendra e Lëvizshme e Formimit Profesional, e cila do të mbulojë me aktivitet kualifikues zonën verilindore të vendit. Kjo po ndryshon gradualisht handikapet që ekzistojnë midis shërbimeve aktive të punësimit në Tiranë dhe në rrethe, duke mbuluar më mirë territorin dhe popullsinë me shërbime aktive dhe formuese. Pa këtë vizion përpjekjet tona për modernizimin e sistemit nuk do të prodhojnë rezultatet e pritshme. As reforma e ndërmarrë në Arsimin dhe Formimin Profesional, fokusimi në hartimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve si dhe zbatimi i legjislacionit përkatës rregullues të saj nuk do të prodhojnë tregues dhe ndryshime cilësore. Duke i bërë shërbimet e punësimit më fleksibile, aktive dhe mobile, ne u përgjigjemi më mirë nevojave të punë dhe formim-kërkuesve për arsimim e formim.

Një tjetër arritje është përmirësimi i imazhit të punonjësit, shërbimeve dhe sporteleve të punësimit. Besueshmëria e zyrave të shërbimit në opinionin publik vjen duke u rritur. Një tregues për këtë është fakti se numri i ankesave që i drejtohen Inspektoriatit nga punëmarrësit është rritur me 22.7%.

Edhe pse aksidentet në punë gjatë vitit 2007 kanë ardhur në rënie, Ministria e ka orientuar Inspektoratin Shtetëror të Punës në zgjerimin e spektrit të prioriteteve të tij nga thjesht lufta kundër informalitetit, drejt venies në plan të parë të mbrojtjes dhe garantimit të kushteve të punës, sigurisë dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve. Ky rikuadrim ndodhi pas konstatimit të verifikuar nga praktika se duke vënë në plan të parë luftën kundër informalitetit, Inspektorati, gjatë viteve të kaluara, nuk ishte përqendruar me të njëjtën vëmendje edhe në mbrojtjen e kushteve të punës, sigurisë dhe jetës së punëtorëve.

Sherbimet sociale po realizohen kryesisht si shërbime komunitare: ditore për të rinj dhe fëmijë, strehezë për gratë e vajzat e dhunuara, të trafikuara, për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, qëndra këshillimore etj. Eshte zgjeruar spektri i shërbimeve për fëmijë dhe PAK, të cilat përbëjnë rreth 40% të shërbimeve sociale në vend.  

Procesi  i decentralizimit dhe transferimit të institucioneve të përkujdesit në varësi të njësive vendore po ecën sipas ritmeve të programuara. Pothuajse të gjitha institucionet rezidenciale janë transferuar, me përjashtim të atyre që Ministria ka vendosur të funksionojnë si shërbime rezidenciale publike kombëtare.

Përsa i përket prioriteteve të punës për vitin 2008, Ministria do të fokusohet në reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të politikave dhe shërbimeve sociale; thellimin e procesit të deinstitucionalizimit të shërbimeve; tolerancë zero ndaj shkeljeve të standarteve të kushteve të punës, mbrojtjes dhe sigurisë në punë të punëtorëve; shërbime sipas standarteve si në insitucionet rezidenciale, ashtu edhe në ato ditore e komunitare; konsolidimi insitucional dhe zhvillimi i burimeve njerëzore, në raport me politikat dhe prioritetet e reja të Ministrisë.

Disa të dhëna:

·         Niveli zyrtar i papunësisë për vitin 2007 në nivel vendi arriti në masën 13.3%, kundrejt 13.8% në fund të vitit 2006. Numri total i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit është rreth 142 mijë  persona.

·         Nga veprimtaria dhe eficenca e shërbimeve të punësimit janë futur në punë rreth 12 000 punëkërkues, pra rreth 1340 të punësuar në muaj ose rreth 60 punësime në ditë. Pra, çdo zyrë lokale punësimi sistemoi në tregun e punës çdo ditë nga dy persona.

·         Gjatë vitit 2007 numri i aksidenteve në punë ishte 26% më i ulët në krahasim me vitin 2006.

·         Në fushën e shërbimeve sociale, me mbështetjen e Projektit të BB, u ngriten 47 shërbime sociale të reja në tetë qarqe të vendit, të mbështetura në një filozofi të re, që përmblidhet në shërbime për komunitetin me pjesëmarrjen e komunitetit; shërbime publike në partneritet me shoqërinë civile; shërbime në bashkëpunim me qeverisjen vendore si ofruese, monitoruese dhe sponsor i shërbimeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›