E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 17-vjetorit të krijimit të PR-së

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë 17 vjetorit të themelimit të Partisë Republikane të Shqipërisë. 

Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha e cilësoi Partinë Republikane si një forcë të vlerave të rëndësishme të shoqërisë shqiptare dhe me një kontribut thelbësor në të gjithë proçeset integruese të vendit.

“Partia Republikane ka kontributin e saj thelbësor dhe vjen në këtë përvjetor si parti e lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, ndër të cilat iniciativa e lirë dhe prona private janë shtylla kryesore e egzistencës së tyre. Partia Republikane vjen në këtë përvjetor me një kontribut thelbësor në të gjithë proçeset integruese të vendit dhe si parti qeverisëse në një kualicion që e afron çdo ditë e më shumë vendin me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe dhe Bashkimin Europian”, u shpreh Kryeministri.

Duke e cilësuar festën e republikanëve si festë të mbarë shqiptarëve që vlerësojnë lirinë dhe vlerat e saj, Kryeministri tha se Shqipëria është sot 17 herë më ndryshe nga ajo që ishte në vitin ’90, pavarësisht vështirësive dhe  sfidave me të cilat po përballet.

“Sot askush nuk mund ta mohojë dhe të gjithë biem dakort se ky vend është një vend që funksionon, një ekonomi tregu që funksionon. të kthehemi në ato vite kur u themelua Partia Republikane mendoj se këto të dyja kanë qenë idealet më kryesore, sëbashku me integrimin e Shqipërisë në institucionet europiane dhe atlantike”, tha Kryeministri.

Më tej, Kryeministri kujtoi se repubikanët festojnë sot sëbashku me të gjithë demokratët shqiptarë, me të cilët ndajnë jo vetëm vlerat e mëdha të lirisë dhe demokracisë, por dhe përpjekjet 17 vjeçare për zhvillimin, konsolidimin dhe mbrojtjen e këtyre vlerave.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›