Kryeministri Berisha: Energjia nukleare është mënyra më e mirë për të ulur emetimin e gazit karbonik
Kryeministri Berisha u shpreh sot, në mbledhjen e grupit parlamentar, se gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Davosit ka marrë pjesë edhe në panelet ku temë qendrore ka qenë diskutimi i ndryshimeve klimaterike si dhe pasojat që ato sjellin.
Ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, tha Kryeministri, ajo nuk mbetet e paprekur nga ndryshimeve klimaterike.
"Në Davos u diskutuar edhe për klimën dhe pasoja e ndryshimit të klimës. Të pakta janë vendet që kanë pasur pasojat më të rënda nga ndryshimi i klimës, sesa Shqipëria. Nuk ka vend që emeton më pak dioksid karboni, por që merr pasojat më të rënda të tij sesa Shqipëria," u shpreh Kryeministri.
Kryeministri është ndalur dhe në çështje të tjera të rëndësishme me efekt global, në politikën e subvencionimit të etanolit me grurë dhe misër.
"Unë natyrisht paraqita gjithashtu si kundër pasojën e dytë të madhe, jo vetëm në Shqipëri, politikën e subvencionimit të etanolit me grurë dhe misër. Politikë, e cila absolutisht kërcënon miliarda njerëz me vështirësi serioze dhe kjo për të ulur emetimin e gazit karbonik. Unë bëra thirrje në mbledhjen më kryesore që kjo të hiqet nga rendi i ditës. Subvencioni për të lashtat dhe drithërat për t'i kthyer ato në metanol,sigurisht, i bën shumë më të leverdishme, sesa për grurë dhe miell," u shpreh Kryeministri.
Kryeministri u ndal dhe në rëndësinë e energjisë nukleare, të cilën e vlerësoi si mënyrën më të mirë për të ulur emetimin e gazit karbonik.
“Shpreha hapur pikëpamjen time për energjinë nukleare, si mënyra më e mirë, më e shpejtë dhe më e fuqishme për të ulur emetimin e gazit karbonik,” tha Kryeministri.
Kryeministri tha se ka siguruar bashkëbiseduesit se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet për të plotësuar sa më shpejt kuadrin ligjor dhe të proçedojë në bazë të interesit të tregut për ndërtimin e centralit bërthamor.