Viti 2008, viti i futjes së Shqipërisë në moshën dixhitale
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do t`i kushtojë pëparësi absolute dixhitalizimit të shërbimeve dhe procedurave.
Duke e konsideruar vitin 2008 si vitin e moshës dixhitale, Kryeministri vlerësoi se vetëm gjatë muajit të parë të këtij viti janë inauguruar tre projekte që i ofrojnë shërbimet në formë elektronike.
“Vetëm gjatë këtij muaji, ne kemi bërë tre inaugurime shumë të rëndësishme; inauguaruam regjistrin e penaliteteve, projektin për shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat e mesme të vendit dhe sot Banka e Shqipërisë inauguroi regjistrin e kredive”, u shpreh Kryeministri Berisha duke shtuar se Ministria e Financave po shtrin në mënyrëë progresive shërbimin e taksës elektronike, ndërsa ka përfunduar tërësisht taksën doganore elektronike.
Gjithashtu Kryeministri theksoi se në këtë drejtim është ecur edhe me regjistrin elektronik të biznesit, ndërsa nënvvizoi se gjatë mbledhjes së sotme qeveria i jep formën përfundimtare projektit për pasaportat dixhitale dhe kartat e identitetit elektronike. Për këtë projekt, shtoi Kryeministri Berisha, interesi ka qenë më i madh se për çdo projekt tjetër, ku 50 kompani kanë tërhequr dokumentat për tenderin.
“Ajo që unë do të kërkoja me insistim absolut, është se secili nga ju duhet të shohë urdhërin që ka ndaj kohës elektronike dixhitale të vendit. Sot ka dy kohëra është koha dixhitale që të çon përpara dhe është koha që të mban në vend numëro ose të çon mbrapa”, nënvizoi Kryeministri Berisha duke shtuar se ka përfunduar dixhitalizimi i regjistrit të administratës publike dhe sistemi i kontrollit të kufinjve.
“Nuk mund të pranohet që akoma ka praktika të viteve 70. Duhet që të përqëndroheni me përparësi absolute në projektet e dixhitalizimit, sepse ky është viti ‘Shqipëria në moshën dixhitale", u shpreh Kryeministri.
Më tej Kryeministri Berisha kërkoi që Ministria e Arsimit të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur dhe inkurajuar edukimin dixhital, jo vetëm të shkollave, por të popullatës në tërësi.
Në këtë kontekst, Kryeministri u kërkoi ministrave që t`i përshtasin buxhetet e tyre me këtë kërkesë, ndërsa shtoi se Shqipëria po merr modelet dhe eksperiencën e vendeve më të avancuara në këtë drejtim.
Duke e vënë theksin në shpejtimin e punës, Kryeministri Berisha u sugjeroi ministrave që të rrisin mbikqyrjen ndaj ritmeve të ecurisë së projekteve përkatëse duke vlerësuar se nuk ka asgjë më të pamëshirshme se sa koha.
“Ne duhet të përpiqemi të ecim me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Duhet të përpiqemi të dixhitalizjojmë shërbimet procedurat dhe të krijojmë ndërfaqet mes tyre. Zëvendëskryeministri kryeson një reformë ndër më të rëndësishmet në këtë drejtim. Po marrim eksperiencën e vendeve më të avancuara në këtë fushë. Do të ndjekim modelin estonez si një ndër modelet më të avancuara, por secila ministri duhet të ketë përparësi absolute lëvizjen drejt moshës dixhitale”, vlerësoi Kryeministri Berisha.