Ligji i Komunikimit Elektronik, ligj bazë për moshën dixhitale të vendit
Kryeministri Berisha vlerësoi sot, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë, se Ligji i Komunikimit Elektronik ka një rëndësi kapitale dhe është ligji bazë për moshën dixhitale të vendit.
Kryeministri u shpreh se për hartimin e këtij ligji, i cili u mor në shqyrtim në mbledhjen e sotme të qeverisë, është punuar me ekspertët më mirë të vendit dhe të huaj.
“Jam i informuar lidhur me nismën e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve për të sanksionuar në këtë ligj disa qëndrime ndaj çmimeve monopol. Ministria duhet të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë e kësaj situate, sepse ne nuk mund të pranojmë që të gjobiten shqiptarët me tarifat më të larta të kontinentit. Kjo situatë është e pajustifikueshme dhe ajo duhet të marrë fund.”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se ligji krijon të gjithë bazën ligjore për t’i dhënë përgjigjen përfundimtare kësaj çështjeje. Ministria, tha ai, ka përgatitur të gjithë kuadrin për të bërë licencimet e reja dhe së shpejti shpall në test para kualifikimi frekuencat ultra të shkurtra dhe të shkurtra për WIMAX dhe përdorimet e tjera, gjë e cila do të pasurojë shumë tregun e komunikimit.
“Ne respektojmë shumë iniciativën e lirë dhe jemi të gatshëm të japim të gjitha garancitë për të, por ne nuk mund të pranojmë çmime mbi bazën e marrëveshjeve të heshtura, të panënshkruara. Ndaj dhe kjo situatë duhet të marrë fund dhe të zgjidhet mbi bazën e rregullave të tregut dhe jo të arbitraritetit”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri theksoi se ky ligj, nga njëra anë zgjeron hapësirat e veprimtarisë private dhe nga ana tjetër mundëson mbrojtjen e interesit publik.
Duke iu referuar pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Botëror që u zhvillua në Davos të Zvicrës dhe takimit me zotin Bill Gates, Kryeministri tha se Gates në ekspozenë e tij mbi etikën e korporatave përcaktoi si kusht kryesor harmonizimin nga këto të fundit (korporatat) të interesit të korporatës me interesin e shoqërisë. “Ky është interesi më i mirë i korporatave. Në të kundërt, nëse shihet vetëm interesi i korporatës jashtë kontekstit të interesit më të madh të shoqërisë, atëherë krijohen probleme”, nënvizoi Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se “ky ligj është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin dhe është ligji bazë i moshës dixhitale. Ai i jep hapësira më të gjera sektorit publik - privat dhe i jep mundësi më të mira mbrojtjes së interesit publik.