Kryeministri Berisha merr mbështetje ndërkombëtare që Shqipëria të marrë ftesën për antarësim në NATO
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar, i njohu të pranishmit me takimet e zhvilluara dhe ngjarjet kryesore në punimet e Forumit Ekonomik të Davosit, në Zvicër.
Gjatë takimeve të zhvilluara Kryeministri tha se ka gjetur mbështetjen e shumë personaliteve ndërkombëtare që Shqipëria të marrë ftesën për antarësim në NATO.
“Unë gjeta mirëkuptim real tek bashkëbiseduesit e mi lidhur me progresin e madh të reformave që Shqipëria ka bërë dhe po vazhdon të bëjë, si dhe për klimën e civilizuar politike në vend. Gjithashtu, mora mbështetjen e tyre që Shqipëria të marrë ftesën për antarësimin në NATO, në Samitin e Bukureshtit”, u shpreh Kryeministri.
Duke e vlerësuar si tepër të rëndësishme praninë e Shqipërisë në këtë Forum, Kryeministri tha se ndryshimet pozitive në Shqipëri bëjnë jehonë të padiskutueshme kudo në botë.
"Në takimet e shumta që zhvillova paraqita realitetin e ri shqiptar. Një realitet i ndryshuar, një realitet që ka bërë jehonë të padiskutueshme kudo në botë. Jehonë të padiskutueshme ka pasur lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe sukseset e kësaj lufte. Jehonë ka bërë edhe lufta kundër korrupsionit, liria ekonomike dhe fiskale, të cilat, në sajë të paketës dhe përpjekjeve të reja, e kanë klasifikuar Shqipërinë në krye të vendeve," u shpreh Kryeministri.
Duke u ndalur në këto zhvillime Kryeministri tha se ndryshe nga dy vite më parë ku Shqipëria paraqiste qëllime, tashmë paraqet fakte dhe argumente të qëndrueshme.
Kryeministri bëri të ditur se gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Davosit ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të të gjitha fushave.
"Qëllim tjetër, përveç paraqitjes së potencialeve të mëdha të vendit, është dhe sjellja në Shqipëri e personaliteteve nga të gjitha fushat, nga bota akademike, bota e artit, e letrave, etj..", tha Kryeministri.
Duke i'u referuar takimeve të zhvilluara në Davos, Kryeministri u shpreh se në këto takime nuk u fol vetëm për ekspozenë e veprave të tyre krijuese, por për impaktin social dhe përkushtimin e tyre social.