E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Interneti po bëhet realitet në të gjitha shkollat e vendit

Gjatë vizitës në qytetin e Kukësit, Kryeministri Berisha u ndal në shkollën e mesme “Avzi Nela”, ku vizitoi kabinetin e informatikës dhe  sallën e  internetit në këtë shkollë.

Pasi përgëzoi trupën pedagogjike të kësaj shkolle për punën e bërë, Kryeministri tha se kompjuteri dhe interneti po bëhen realitet në të gjitha shkollat e vendit.

Gjithashtu Kryeministri theksoi se qeveria po përgatit ndërtimin e një konvikti të ri në qytetin e Kukësit me qëllim që t`u jepet mundësia edhe nxënësve nga zonat e thella të ndjekin shkollën e mesme dhe më pas universitetin.
   
“Dua të përgëzoj trupën pedagogjike të kësaj shkolle, e cila mban emrin e një martiri të fjalës së lirë, i cili u var në sheshin e këtij qyteti jo në vitin 48 as në 58, por në vitin 1988. Në vjershat e tij ai kishte cituar të Drejtat e Njeriut, kishte shprehur qartë mospajtimin me regjimin totalitar. Unë ju përgëzoj për suksesin që keni arritur dhe punën që keni bërë.    
Kabinetet e informatikës dhe Interneti në shkolla po bëhen një realitet në të gjitha shkollat e vendit. Këtu ishte edhe kryetari i PS-së, por nuk vizitoi dot rrugën sepse ajo i kall datën dhe as kabinetin e informatikës sepse ato e trishtojnë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kjo shkollë, vijoi më tej Kryeministri, vërtet ka marrë emrin e një shkrimtari dhe dramaturgu të vërtetë, por kjo shkollë ka ecur shumë mirë në informatikë.


Më tej Kryeminisstri vlerësoi se problem madhor në Kukës mbetet numri i madh i nxënësve për klasë, i cili siç u shpreh Kryeministri është i papranueshëm. “Vitin e ardhshëm shkollor ne duhet të detyrimisht të arrijmë standardet sepse kemi një premtim; 20-25 maksimumi 30 nxënës për klasë. Kjo është emergjencë sepse nxënësit nuk mund të flijohen duke qenë 40-44 për klasë”, theksoi Kryeministri.  

Bashkia, vijoi më tej Kryeministri, para një muaji ka dorëzuar projektin për një shkollë tjetër dhe e përshëndes për këtë.
 
Gjithashtu Kryeministri tha se një shqetësim për këtë zonë mbetet edhe fakti që një numër i madh i nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të nuk ndjekin shkollën e mesme.
“Një konvikt e kemi me 300 shtretër. Një konvikt tjetër vazhdon ndërtimin brenda një muaji. Ne do t`i mundësojmë çdo nxënësi që të vazhdojë shkollën e mesme ky është një detyrim shtetëror si i imi dhe i juaji”, tha Kryeministri gjatë bashkëbisedimit me trupën pedagogjike të kësaj shkolle.
Kryeministri  u shpreh se duhet bërë një analizë e hollësishme për çdo lokalitet për të nxjerrë se sa është përqindja e nxënësve që ndjekin shkollën e mesme pasi përfundojnë atë 9-vjeçare. 

Pasi përgëzoi drejtoreshën e shkollës për projektin për hapjen e shkollës profesionale të informatikës, Kryeministri sugjeroi që të shikohet mundësia e hapjes së ndonjë dege tjetër profesionale, siç është ajo e fushës së minierave.
“Mund të shihet mundësia edhe për një degë profesionale për minierat sepse minierat janë në kuotën më të lartë të bursës. Do të kenë një perspektivë kromi dhe nikeli ndaj dhe mund të përshtatemi me kushtet teknike”, tha Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›