Kryeministri Berisha: Zgjedhjet e 15 qershorit në Maqedoni duhet të jenë një model i denjë për qytetarët shqiptarë atje

Kryeministri Berisha u bëri thirrje sot shqiptarëve në Maqedoni që në zgjedhjet e përsëritura të datës 15 qershor të marrin të gjitha përgjegjësitë për të votuar të lirë, si qytetarë evropian.
Duke folur për mediat gjatë vizitës së tij në ekspozitën “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në veprat e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve”, kryeministri shprehu besimin dhe dëshirën që zgjedhjet e datës 15 qershor të jenë një model i denjë për qytetarët shqiptarë në Maqedoni.
“Dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve në Maqedoni që kanë një ngjarje shumë të rëndësishme në datën 15 qershor, të marrin të gjitha përgjegjësitë për të votuar të lirë, si qytetarë evropian, në procesin zgjedhor të përsëritur. Bandat e armatosura, gangsterët dhe grupe që s’kanë asgjë të përbashkët me interesin kombëtar dhe interesin demokratik të shqiptarëve, i bënë ata që të votojnë dy herë. Por shpresoj dhe dëshiroj që zgjedhjet e datës 15 të jenë një model i denjë për qytetarët shqiptarë në Maqedoni”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u bëri thirrje edhe forcave politike shqiptare në Maqedoni, “të ndërmarrin çdo masë për të shmangur dhunën dhe tensionet dhe të dënojnë me vendosmëri çdo akt të grupeve kriminale, të cilët shqetësojnë dhe dhunojnë dhe nuk lënë që shqiptarët e Maqedonisë të votojnë në lirinë e tyre dhe të shprehin vullnetin e tyre”.
“Ky është interesi më jetik i tyre, interesi i Shqipërisë, interesi i Kosovës, interesi i paqes dhe stabilitetit, më gjerë se në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Kryeministri.