Kryeministri Berisha përuron Tregun Ushqimor në qytetin e Kukësit
Kryeministri Berisha përuroi sot përfundimin e punimeve për Tregun Ushqimor të qytetit të Kukësit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 60 milionë lekë.
Kryeministri vlerësoi se në rrethin e Kukësit ka një seri projektesh për investime të rëndësishme, në arsim, burime hidrike dhe në shfrytëzimin e pasurive nëntokësore.
“Ky është një tjetër investim prej 60 milionë lekësh në qytetin e Kukësit, i cili tashmë do të ketë një treg të ri, modern, ku fermerët do të mund të tregtojnë prodhimet e tyre bujqësore. Ky treg përbën një lehtësi të madhe për qytetarët e Kukësit në tërësi””, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë rreth, vijoi më tej Kryeministri, ka një seri investimesh të tjera shumë të rëndësishme. “Është tenderuar për së dyti tenderi për konviktet. Siç ju kam informuar më parë një zinxhir i madh prej 9 konviktesh është në tenderim apo në ndërtim e sipër në 9 rrethe periferike të vendit që kanë zona të largëta. Një ndër ta është edhe Kukësi. Kryetari i Bashkisë ka vënë për së dyti tenderin dhe këtë radhë pjesëmarrja është shumë e mirë dhe do të mundë të fillojë ndërtimi i konviktit. Janë një seri projektesh në rrethin e Kukësit.
Një numër shumë i madh projektesh publike dhe private janë në proces e sipër . Kukës i ka për të ndërtuar rreth 70 hidrocentrale. Njëri nga këto, hidrocentrali i Lapajve ka filluar punën me një vlerë 14 milionë dollarë, për 6 të tjerë janë firmosur kontratat 6 të tjerë janë për bonuse. Shumica e tyre kanë projektet gati dhe do t`i nënshtrohen procesit. Por, krahas kësaj ky është një rreth me potenciale të mëdha minerare. Është një nga qarqet më të pasura në krom, nikel dhe në bakër dhe minerale të tjera, minerale që tani kanë një kuotë shumë të lartë në bursën botërore. Kromi është 6-fishuar në krahasim me 2005 kur një ton ishte 70 dollarë ndërsa tani është 450 dollarë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej Kryeministri Berisha garantoi Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, se qeveria do të mbështesë dhe financojë çdo projekt që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve.