Kryeministri Berisha inspekton punimet në segmentin rrugor Kalimash-Morinë
Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet në segmentin rrugor Kalimash-Morinë, pjesë e autostradës Durrës-Kukës.
Kryeministri përgëzoi firmat ndërtuese për punën e bërë dhe vlerësoi se ato po punojnë me përkushtim të madh dhe po përdorin teknologjinë e duhur në mënyrë që rruga të jetë e standardeve më të larta, pavarësisht vështirësive që paraqet terreni.
“Shfrytëzoj rastin t`i përgëzoj kompanitë ndërtuese për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe po bëjnë. Natyrisht firmat kanë kërkesat e tyre dhe është shumë normale që materialet t`i marrin në Kosovë dhe jo t`i sjellin nga Tirana. Do t`u krijojmë mundësinë me një regjim të veçantë, sepse doganat duhet të funksionojnë me tre turne për këtë vepër gjigande, e cila po ecën me shpejtësinë më të madhe që kanë ecur autostradat e kësaj natyre”, tha Kryeministri Berisha.
Pyetje: Zoti Kryeministër sa janë respektuar afatet?
Kryeministri Berisha: Në tërësi afatet janë respektuar. Ka patur momente shmangieje, por mundësia e kompensimit të kohës së humbur është e plotë . Një nga kompanitë që ka urat, përgjegjësia më e madhe në këtë trajektore është zotuar se do t`i përshpejtojë punimet dhe po i përshpejton ato. Por ka pasur edhe disa vështirësi teknike. Afër urës ka pasur shkarje dheu, por kjo është zgjidhur duke qartësuar kontratën dhe tani kompania nuk ka më pengesa. Urat janë një nga problemet më serioze. Kjo rrugë është rrugë e urave, vetëm Bechtel ka 27 ura.
Pyetje: Zoti Kryeministër a mendoni se do të ishte mirë që këtë rrugë ta kishte marrë Bechtel?
Kryeministri Berisha: Jo nuk e kam peng që këtë aks nuk e ka Bechtel. Kam kënaqësi që këtë segment e ndërtojnë kompanitë shqiptare. Bechteli ka marrë rrugën Kalimash-Rrëshen, e cila është një nga terrenet më të vështira në Europë për të mos thënë më i vështiri, sipas të gjithë ekspertëve ndërkombëtarë. Mund të them se për çdo kompani tjetër përveç Bechtel-it, ky terren do të ishte shumë i vështirë.
Në segmentin rrugor nga Kukësi në Morinë janë 5 ura dhe 2 vija dukte, gjatësia e të cilave arrin nga 120 metra deri në 450 metra me një lartësi maksimale prej 50 metrash. Gjatë inspektimit të punimeve të kwtij segmenti rrugor, Kryeministri Berisha shoqërohej nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Genc Pollo, deputetët e zonës Fatos Hoxha e Jemin Gjana dhe drejtues të puhstetit vendor