E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet samitin e rektorëve të universiteteve shqipfolëse

Kryeministri Berisha përshëndeti sot samitin e rektorëve të universiteteve shqipfolëse i cili zhvilloi punimet në qytetin e Kukësit. Në këtë takim merrnin pjesë rektorët e 19 universiteteve, prej të cilëve 3 nga Kosova, 2 nga Maqedonia dhe 14 nga Shqipëria.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha tha se elita e universiteteve ka një mision shumë të madh në zhvillimin e vendit duke nënvizuar se nuk ka asgjë më përcaktuese se sa edukimi dhe arsimimi i brezave.
 Ne, vijoi më tej Kryeministri, e konsiderojmë edukimin përparësinë më absolute, jo se nuk kemi probleme të tjera, por pavarësisht nga ato unë ju garantoj se qeveria  shqiptare do ta ketë përparësi absolute mbështetjen e arsimit.

Gjithashtu Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë për të mbështetur fuqimisht pjesëmarrjen e sektorit privat në procesin e arsimimit.“Duhet bashkërisht të përgatisim shqiptarët për integrim për në BE e NATO”, tha Kryeministri Berisha.
Samiti i rektorëve të universiteteve shqipfolëse mbahet në 130 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha gjatë këtij takimi:

“Është një nder i veçantë të përshëndes këtë takim të rëndësishëm tuajin, i cili mbahet në një përvjetor të madh të kombit shqiptar, mbahet në 130 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Lidhja e Prizrenit është një nga ngjarjet më të mëdha e më përcaktuese në historinë tonë kombëtare. Nëse do t’i referohemi një studiuesi të madh të shqiptarëve në traktatin e tij thotë se “ata gjatë historisë së tyre kanë patur periudha zhdukjesh e shfaqjesh në ekranin e historisë” dhe ky studiues i madh thotë se, “periudhat e zhdukjes që kanë patur, kanë qenë shumë të zgjatura dhe megjithëkëtë kanë mbijetuar me një përpjekje të mbinatyrshme, kanë ruajtur identitetin e tyre”.
 Lidhja e Prizrenit ishte  një shfaqje e fuqishme e një kombi të vendosur në letargjinë imperiale, e një kombi që për shekuj e shekuj softi i tij u shndërrua në një soft imperial, elita e tij u shndërrua në një elitë imperiale, për të cilën perandoria ishte gjithçka e kombi asgjë.


Kështu që ata të cilët organizuan Lidhjen e Prizrenit me platformën që shpallën pas shekujsh shuarje nga ekrani i historisë  i faktuan botës së shqiptarët pavarësisht ku ndodhen e banojnë janë një komb dhe kanë kërkesa të përbashkëta, autonominë si fillim e më vonë pavarësinë e tyre.
Lidhja e Prizrenit ishte një paralajmërim i madh që shqiptarët e robëruar i bënin Evropës e mbarë botës, se ata do të vazhdonin qëndresën e tyre ndaj të gjitha padrejtësive që u bënë ndaj tyre.


Lidhja e Prizrenit, në përvjetorin e së cilës ju keni zgjedhur  të mbani këtë takim të  rëndësishëm, ishte lidhja e platformës kombëtare të shqiptarëve. Perandoritë po shembeshin, shqiptarët faktuan se nuk ishin shuar. Ata dolën sërish në skenë për të nisur një rrugë të gjatë e shumë të mundimshme, por edhe të suksesshme. Nga ajo ditë deri sot shqiptarët kanë përjetuar drama, padrejtësitë, luftërat, gjenocidet, diktaturat , shfarosjet më të egra se çdo komb tjetër në Evropë. Por sot, çdo shqiptar mund të thotë me bindje të plotë se ky shekull është shekulli i tyre. Jo se ata janë kontribuues planetarë, janë aksionarë kryesorë në zhvillimet planetare. Jo, por se ata së fundmi janë të lirë, kanë  lënë mbrapa një histori që nuk e kanë merituar kurrë dhe tani si qytetarë të lirë mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre që meritojnë.Tani ata janë në shekullin e tyre, në shekullin e lirisë. Kjo është meritë në radhë të parë e shqiptarëve, është meritë e jashtëzakonshme e shqiptarëve sepse në rast se në vitin 1912 për shkak të kryengritjeve në Kosovë e konjukturave të tjera, në një pjesë të territoreve të vendit u shpall pavarësia, pjesa dërmuese e shqiptarëve mbetën në pushtime, mbetën subjekt i platformave më të egra e barbare që kishin vetëm një synim: shfarosjen e tyre.. Por shqiptarët ia kanë dalë në mënyrë të mahnitshme të ruajnë identitetin  e tyre dhe hynë në këtë shekull të lirë.

 Atë që kanë bërë shqiptarët e Kosovës është faqja më e ndritur e kombit nga lufëtrat e Skënderbeut e deri sot. Pavarësia e Kosovës nuk ishte rezultat i asnjë konjukture, por rezultat i një qëndrese të mahnitshme i të gjitha formave  të qytetarëve të Kosovës, e një qëndrese totale, e një qëndrese që kur nisi nuk njohu kuislingë, por bashkoi shqiptarët në Kosovë, në një bashkim të atillë që se ka njohur asnjë komb tjetër. Ia doli me të gjitha format e qëndresës, nga  paqësorja tek lufta e armatosur ta shndërrojë  çështjen e tyre në një çështje të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në një çështje të botës së qytetëruar, në një çështje të kombit më të madh, të SHBA-së, ai doli të fitojë pavarësinë. Kjo përbën një ngjarje e zhvillim nga më të pashembulltit.  Nëse historia e Skënderbeut është një histori  ndër më të pashembulltat, e tillë është edhe pavarësia e Kosovës që na bëri të gjithëve të lirë.
Deri në ditën e pavarësisë së Kosovës  ne nuk kemi qenë të lirë. Ne u bëmë të lirë se u bë e lirë Kosova, kombi është një, ka një shpirt. Sot ne duhet të themi: ky është shekulli ynë.

Në këtë shekull ju, elita e universiteteve tona, keni një mision shumë të madh sepse asgjë më përcaktuese në zhvillimet e ardhshme të shqiptarëve nuk ka se sa edukimi, arsimimi i tyre. Në këtë aspekt trashëgimia  në arsim nuk është më e lehtë nga trashëgimia që kemi në sektorë të tjerë. Me një përpjekje të përbashkët ne duhet të kapërcejmë dekadat e prapambetjes së trashëguar. Kjo  është në duart tuaja. Ne konsiderojmë edukimin përparësinë  më absolute, jo se nuk kemi probleme të tjera, por pavarësisht nga ato unë ju garantoj se qeveria  shqiptare do të ketë përparësi absolute këtë proces, mbështetjen tuaj, mbështetjen e universiteteve publike, mbështetjen  e universiteteve private që nuk kanë atë mbështetje që meritojnë. Akoma qeveria nuk ka përpunuar  mekanizmat e inkurajimit e mbështetjes së tyre. Jo se nuk do, por ka disa probleme që po shkojnë drejt zgjidhjes. Jo se nuk i njeh, i njeh. Ne jemi shumë të vendosur të mbështesim fuqishëm pjesëmarrjen e sektorit privat në procesin e edukimit. Qytetarët ,biznesi do të jenë aksionerë shumë të rëndësishëm në arsimin kombëtar. Duhet bashkërisht të përgatisim shqiptarët për integrim për në BE e NATO. Kemi marrë ftesën për në NATO, po ecim drejt BE-së.

 Por besoj se jemi dakord që janë një seri standardesh që duhet t’i arrijmë dhe ato arrihen vetëm pasi i vlerësojmë, investojmë, vendosim të kapërcejmë prapambetjen që kemi trashëguar. Qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje në këtë aspekt me qëllim që ju të fuqizoni stafet tuaja. Ne kemi hapur 400 vende të reja pune për ju, kemi krijuar Fondin e Ekselencës, të cilin do t’ua shtrijmë të gjitha universiteteve private e të gjitha universiteteve shqiptare, kudo që ndodhen. Ne do t’ua njohim kontratën për universitetin privat  shtetëror, apo cilido që të jetë.  I inkurajoni bashkëpunëtorët tuaj të aplikojnë për të fituar të drejtën  e masterit jashtë vendit, të doktoraturës  në universitetet perëndimore. Qeveria shqiptare do të krijojë shumë shpejt  fondin për studentët. Do të përzgjedhim 10 universitetet më të mira të botës me pikëzim e do t’ia afrojmë çdo shqiptari kudo që ndodhet, kundrejt një kontrate që pasi të mbarojë atë universitet të shërbejë shqiptarëve në Shqipëri për një periudhë 7-vjeçare, ose sa  ta gjykojë ministria.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme  të hapemi ndaj të rinjve shqiptarë, të rrisim me shpejtësi numrin e studentëve. Nuk kemi patur trashëgimi të mirë. Për dekada universiteti i Tiranës mbante 15-20 mijë studentë, aq sa kanë sot Elbasani e Korça. Sot kemi 102 mijë studentë në Shqipëri. Por ne duhet të bëjmë që çdo i ri që mbaron shkollën e mesme të ketë të drejtë të hyjë në universitet mbi bazën e performancës  së tij. Ne po ndërtojmë një sistem konviktesh në mbarë vendin. Çdo fëmijë që mbaron klasën e 9-të do të ketë mundësinë të ndjekë shkollën e mesme, pavarësisht ku ndodhet banesa e tij, prapa Gjallicës, apo në Dukagjin. Ne bashkërisht duhet të përparësojmë arsimin edhe për një arsye tjetër. Jemi komb i ri, jemi komb në moshën e edukimit. Roli juaj në përgatitjen e qytetarëve shqiptarë, si qytetarë evropianë është i pazëvendësueshëm. Arsimi e demokracia e standardet e saj janë pazgjidhshmërisht të lidhura.
 Kombi është një , ka një shpirt e shpirti i tij është kultura e tij.  Thelbi i identitetit të tij është kultura.
Gjatë shekujve integriteti shpirtëror u ruajt, por nuk mund të themi se nuk ka nevojë për largim të pluhurave të mbledhura. Këtu jeni të pazëvendësueshëm . Edhe në përsosjen e integritetit shpirtëror kombëtar. Ne po bëjmë përpjekje për t’u integruar  me të gjitha kombet e tjera në Evropë. Askush nuk duhet të ketë ndrojtje e frikë  nga bashkëpunimi ndër-shqiptar.  Ai do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal, i integrimeve rajonale  dhe më gjerë. Duhet të lemë prapa atë psikologji frenuese të diktuar e të trashëguar nga faktorë të tjerë. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që proceset integruese rajonale të ecin sa më shumë, që bashkëpunimi i universiteteve, por edhe i aspekteve të tjera të jetë sa më i madh.


Absolutisht ky është interesi i paqes, i stabilitetit në rajon, ky është interesi i proceseve integruese  të vendeve ku jetojnë shqiptarët. Nuk dua të zgjatem më shumë, veçse t’u përshëndes përzemërsisht për këtë takim të mrekullueshëm  që keni zgjedhur, datën që keni zgjedhur, frymën me të cilën jeni mbledhur e ju siguroj se qeveria shqiptare do ju mbështesë ju  në të gjitha përpjekjet tuaja e arsimimi është përparësia jonë absolute. Ne nuk  do kemi kufizime për mbështetjen tuaj”.      
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›