Kryeministri Berisha: Qeveria, e angazhuar për zgjidhjen e problemit të strehimit në rrethin e Kukësit
Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për rikonstruksionin e çative të banesave në lagjen nr.1 në qytetin e Kukësit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 83 milionë lekë.
Kryeministri Berisha vlerësoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, dhe shprehu angazhimin e qeverisë për zgjidhjen e problemit të strehimit në këtë rreth.
“Ky është një tjetër investim prej 80 milionë lekë për rikonstruksionin e këtyre pallateve çatitë e të cilave ishin në proces shembje. Natyrisht Kukësi ka probleme me strehimin dhe unë i premtova Kryetarit të Bashkisë ndërtimin e një pallati, ose një zgjidhje ekuivalente në mënyrë që të plotësojmë të gjitha kërkesat që ka për strehim. Ky rreth ka probleme me strehimin dhe ne jemi për përballimin e tyre. Të gjitha këto që shihni janë premtime të mbajtura të qeverisë, premtimet për rrugën, për impiantin e përpunimit të patateve, për tregun ushqimor”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke iu referuar tarifave të larta të vendosura për tregun, Kryeministri tha se zyrtarët kishin vënë shifra stratosferike, saqë edhe një qeveri socialiste do ta kishte të vështirë t`i vendoste, e jo më pastaj qeveria e tij e cila është për taksa dhe tarifa të ulëta.“Për këtë problem biznesi kishte 100 % të drejtë që ankohej. Nuk mund t`i vendosësh biznesit 20 mijë lekë për metër katror në periferi të qytetit të Kukësit”, tha Kryeministri.
Më tej Kryeministri Berisha tha se rikonstruksioni i çative të banesave në lagjen nr.1 është një projekt tjetër në këtë rreth që realisht është përballur me probleme shumë të mëdha gjatë këtyre viteve, por që siç u shpreh Kryeministri ka një perspektivë shumë të madhe.
“Është koha kur Kukësi dhe kuksianët të mund të shfrytëzojnë pasuritë e tyre. Janë në kuotimin më të lartë si ujërat ashtu dhe mineralet. Rruga, aorta e kombit e bën Kukësin një epiqendër shumë të rëndësishme. Pra në të gjitha aspektet Kukësi merr një perspektivë realisht të re”, vijoi Kryeministri.