E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron fabrikën e përpunimit dhe seleksionimit të patates në qytetin e Kukësit

Gjatë vizitës në qytetin e Kukësit, Kryeministri Berisha inauguroi fabrikën e përpunimit dhe seleksionimit të patates në këtë qytet, investim i një kompanie holandeze.


Kryeministri vlerësoi se kjo fabrikë do të lehtësojë në mënyrë të ndjeshme tregun për fermerët e kësaj zone. 
“Ky është një investim rreth 60 milionë lekë për përpunimin dhe konservimin e patates së Shishtavecit, e cila është ndoshta një nga varietetet më të mrekullueshme të vendit. Shishtaveci është një zonë e thellë dhe ka një kapacitet të madh prodhues, mijëra kuintalë patate, por ka vështirësi shumë serioze me tregun”, u shpreh Kryeministri.


Ne, vijoi më tej Kryeministri Berisha u kemi premtuar banorëve të kësaj zone dy gjëra; konservimin dhe përpunimin e patates në qytet dhe së dyti u kemi premtuar rrugën. “Është një rrugë rreth 27 km dhe kjo është ndoshta nga të paktat zona realisht turistike sepse është zonë e banuar, dhe në të ardhmen mund të jetë një resort turistik i mrekullueshëm për turizmin malor, pasi e gjithë zona është e përbërë nga kullota alpine. Rruga do të bëhet dhe sapo të mbarojë projekti do të bëhet tenderi i saj”, tha Kryeministri.


 Më tej Kryeministri vlerësoi se impianti i përpunimit të patates do t`u shërbejë të gjitha zonave përreth që kultivojnë tradicionalisht pataten. “Në këtë mënyrë tregu shqiptar  në të dyja anët e kufirit do të ketë një avantazh të madh për patate të cilësisë më të lartë", u shpreh Kryeministri Berisha. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›