E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përuron sistemin e vaditjes dhe kullimit të Devollit të Sipërm

- Kryeministri Berisha shprehu bindjen se fermerët besojnë jo vetëm tek fjala e mbajtur e qeverisë, por edhe tek politikat e saj për zhvillim

Në përfundim të vizitës në fshatrat e rrethit të Korçës, Kryeministri Berisha u ndal në inaugurimin e sistemit të vaditjes dhe kullimit të Devollit të Sipërm, në fshatin Ponçar. Sistemi ujitës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 70 milion lekë, do të bëjë të mundur vaditjen e një sipërfaqeje toke prej 700 ha.

Në fjalën drejtuar banorëve, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të të gjitha investimeve të realizuara në këtë zonë, të cilat përfshijnë ndër të tjera, ndërtimin e disa shkollave të reja dhe përfundimin e një sërë akseve të rëndësishme rrugore.

Kryeministri theksoi se këto vepra janë premtime të mbajtura të qeverisë. “Banorët e kësaj zone aq sa vlerësojne investimin, vlerësojne dhe fjalën e mbajtur”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha se politikat e ndjekura nga qeveria për zhvillimin rural, do të rrisin më shumë prodhimet dhe shitjen e tyre. Kryeministri siguroi se nuk do të ketë më fermerë të pashpresë, prodhimet e të cilëve shkonin dëm, si pasojë e kontrabanbës që i pengonte. Kryeministri shprehu bindjen se fermerët e ndjejnë se qeveria, jo vetëm e mban fjalën e dhënë, por po harton politikat më të fuqishme për zhvillimin.

“Kam ardhur në komunën Qendër edhe pak vite më parë dhe i kam gjetur fermerët në gjendje depresive pasi iu ishin kalbur prodhimet në arë, për shkak të kontrabandës. Po kështu ndodhi edhe me grurin. Edhe mediat iu ranë sirenave së bashku me opozitën se qeveria nuk po ul taksën për grurin në dogana. Por ne nuk mund ta ulnim atë sespe do mendonim për fermerët tanë dhe prodhimet e tyre.

Drejtori i bujqësisë për rrethin e Korcës më informoi se prodhimi i grurit në Korçë është rritur këtë vit, me 30 % dhe po kështu është rritur në Myzeqe dhe kudo. Këta fermerë e ndjejnë se qeveria jo vetëm e mban fjalën e dhënë, por ajo po harton politikat më të fuqishme të zhvillimit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›