Kryeministri Berisha: Investimet tona, shembull i transparencës
- Fondi limit i investimit për terminalin ka qenë i parashikuar 22 milionë euro, ndërkohë që kontrata me kompaninë ndërtuese është nënshkruar me 15 milionë euro, duke kursyer 7 milionë euro.
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve, në portin e Durrësit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishte Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, zoti Sokol Olldashi, Drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Eduard Ndreu, Presidenti i Kompanisë ndërtuese sllovene SCT, Ivan Znedar, autoritete të tjera të portit, etj.
Ky projekt është investim i Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përmes kredisë së dhënë qeverisë shqiptare, me vlerë 15.2 milionë euro. Afati i përfundimit të projektit është muaji prill 2010. Projekti parashikon ndërtimin e një terminali modern, me një sipërfaqe mbi 5 mijë metër katror dhe do të përfshijë të gjitha ambjentet e nevojshme për shërbimin dhe kontrollin e pasagjerëve, sallat e pritjes, pikat e shitjes së biletave dhe agjencitë e udhëtimit, pikat e kontrollit doganor, etj. Ky terminal do të sigurojë lëvizjen komode dhe me shpejtësi të pasgjerëve, veçanërisht në periudhën e mbingarkuar të verës. Ai do të ketë një kapacitet të menjëhershëm për rreth 2 mijë pasagjerë, me një parkim për rreth 2 mijë automje. Krahas ndërtimit të terminalit të pasagjerëve dhe godinave të tjera ndihmëse të shërbimit doganor dhe të sigurisë, parashikohen edhe punimet për ndërtimin e shesheve e rrugëve lidhëse në zonën e operimit të trageteve.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij u shpreh se projekti për ndërtimin e këtij terminali është një tjetër shembull i transparencës së qeverisë në realizimin e investimeve.
Kryeministri nënvizoi faktin se fondi limit i këtij investimi për terminalin ka qenë i parashikuar 22 milionë euro, ndërkohë që kontrata me kompaninë ndërtuese është nënshkruar me 15 milionë euro. “Kjo është transparenca. Kontrata është firmosur me 7 milionë euro kursim. Këto 7 milionë euro kanë vlerë të madhe, sepse, së pari, ato janë kursyer dhe së dyti ato i shërbejnë një projekti tjetër”, theksoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi punën e kompanisë sllovene SCT si një kompani mjaft e njohur në fushën e porteve, por është edhe e angazhuar edhe në një nga segmentet e autostradës Durrës – Morinë.
Kryeministri Berisha kërkoi nga kompania përshpejtimin e afatit të përfundimit të punimeve, duke theksuar se në këtë qytet është shumë e favorshme puna me 3 turne. “Presidenti i kompanisë na siguroi se do të bëjë punën më cilësore dhe se do ta përfundojë projektin brenda afatit. Duke shprehur besimin e plotë në punën cilësore të kompanisë së tij, njerëzisht do t’i kërkoja që afatin e përfundimit ta nënkuptojë disa muaj më parë se muaji i shpallur. Në Durrës punohet me tre turne, në mënyrë komode, sepse klima e këtij qyteti e lejon këtë, madje turni i tretë në punë mund të jetë edhe më i lehtë se dy turnet e tjera”, tha Kryeministri.
Kryeministri shprehu falënderime edhe për investitorët e projektit, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për kredinë që i kanë dhënë qeverisë shqiptare, kredi e cila shndërrohet në këtë projekt madhor, në portin e Durrësit.
Duke theksuar rëndësinë e madhe të këtij projekti, Kryeministri u shpreh se këtë terminal, porti i Durrësit, njëri prej porteve më të vjetra të Mesdheut, e ka pritur me shekuj. “Ky do të jetë një terminal modern për pasagjerët e këtij porti. Me këtë projekt, porti merr një pamje të re, evropiane, moderne dhe që u ofron qytetarëve shërbimet më të mira, me kapacitete të mëdha”, vijoi Kryeministri.
Ai nënvizoi se portet në tërësi janë barometrat më të saktë të zhvillimit të një shoqërie dhe të një vendi dhe i tillë ka qenë Durrësi në shekuj e mijëvjeçarë, me një port simbol.
Presidenti i Kompanisë sllovene SCT falënderoi Kryeministrin për besimin e dhënë kompanisë SCT për ndërtimin e terminalit e pasagjerëve në portin e Durrësit, duke garantuar se projekti do të kryhet brenda afatit të përcaktuar dhe sipas standardeve më të larta evropiane. Kontrata e nënshkruar, tha ai, "do të thotë për ne një detyrim i madh për të kryer punimet me cilësi të lartë", për të cilën ai siguroi se në bazë të përvojës së ndërtuesve të kësaj kompanie, do të përmbushet tërësisht.
Nga ana e tij, Drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit Eduard Ndreu vuri në dukje mbështetjen e madhe të dhënë nga qeveria në zhvillimin e këtij porti, duke theksuar se në këto tre vite porti i Durrësit ka ndryshuar realisht shumë, në infrastrukturë, në menaxhim, sistemin e sigurisë, etj. Në këtë funksion, ai përmendi faktin se në vitin 2005 në port investoheshin 500 mijë dollarë në vit, ndërsa në vitin 2007 këto investime kanë shkuar në 12 milionë dollarë.