E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Kompania Bechtel-Enka ka përfunduar 49 % të punimeve në segmentin Rrëshen-Kalimash

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga rektorët e universiteteve shqipfolëse të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, inspektoi punimet në tunelin e Kalimashit, pjesë e rrugës Durrës-Kukës.

Kompania Bechtel-Enka e cila po kryen punimet në këtë segment rrugor, ka përfunduar 49 % të punimeve.  

Kryeministri Berisha duke vlerësuar maksimalisht këtë fakt tha se kompania po punon pa ndërprerje dhe me një ritëm të shpejtë për përfundimin e kësaj kryevepre të inxhinierisë.

“Jemi këtu në një ditë shumë të veçantë. Sot kompania Bechtel-Enka ka përfunduar 49 % të tunelit dhe po punon 24 orë në 24 me ritëm të shpejtë në këtë kryevepër të inxhinierisë në Europë. Rruga që po ndërton kompania Bechtel, Rrëshen-Kalimash ka marrë një famë në mbarë Europën si një kryevepër e vërtetë e inxhinierisë ndaj dhe unë dua t`i shpreh falenderimin dhe mirënjohjen më të thellë drejtuesve, inxhinierëve, punëtorëve dhe të gjithë atyre që janë të angazhuar në këtë ndërtim që sërish do ta quaja aorta e kombit”, tha Kryeministri Berisha.

Kjo rrugë që kalon në terrenin më të thyer të mundshëm, vijoi Kryeministri, i bën shqiptarët krenarë në vendin e tyre, e bën Shqipërinë një vend të zhvilluar.
“Një mik i imi i shquar që kishte treguar një lloj skeptizizmi për ndërtimin e kësaj rruge, erdhi dhe vizitoi rrugën. Më tha dy gjëra: nuk kam parë kurrë në jetën time një vepër të tillë inxhinierike dhe, e dyta; këtë mund ta bëjë vetëm Bechtel. Me një kënaqësi shumë të madhe  më kërkoi që sa më shumë njerëz të vijnë ta vizitojnë. Unë para se të vij këtu takova një grup socialistësh në Kukës dhe i pyeta 'si ishte ajo puna e varkës që e futët kryetarin tuaj kur erdhi në Kukës. Na vendosi kushtin e vetëm; ose të më siguroni varkë ose nuk vij'.  Atë e zë rruga, e ka tmerrin nga rruga. Ne do t`ia bëjmë një ftesë me kusht që mos kërkojë varkë. Kjo autostradë është fobi e kryetarit të opzoitës në një kohë që tund 5 herë një derë kopshti me 55 copa”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Më tej Kryeministri tha se transparenca në ndërtimin e kësaj rruge është e plotë dhe është i lutur çdo qytetar të kontrollojë çdo qindarkë.
“E vërteta është  se rruga ka një projektues dy kompani nga më seriozet në rajon dhe në Europë, ka një supervizor serioz dhe ka një kompani tjetër që ndihmon qeverinë shqiptare në menaxhim. Në këtë kontekst gjithçka ka qenë dhe është transparente. Por, asgjë, asnjë lloj shpifje dhe trillimi nuk mund të errësojë shkëlqimin e mahnitshëm të kësaj vepre. Me këto tunele shqiptarët do t`i thonë njëri tjetrit se malet nuk na ndajnë më”, tha Kryeministri duke shtuar se rruga do të kushtojë pakrahasimisht shumë më lirë se sa shekujt që i ndanë shqiptarët.

Kryeministri Berisha e cilësoi vendimin për ndërtimin e kësaj rruge, si një nga vendimet për të cilën ndihet krenar më shumë se për çdo gjë tjetër. “E them me sinqeritet që nuk pranova asnjë variant tjetër. Kishte shumë variante, shumë presione, por kur shoh male të çara them se jo vetëm ndërtimi i saj që përbën një nga vendimet për të cilën ndjehem më krenarë në jetën time,  por trajektorja më e shkurrtër që projekton është madhështia e kësaj rruge”, nënvizoi Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›