Kryeministri Berisha: Në pesë muaj ka më shumë biznese të regjistruara se sa në të gjithë vitin 2007
-Klima ndaj biznesit ndër më të shkëlqyerat që ka patur ndonjëherë Shqipëria
Duke evidentuar përpjekjet shumë serioze të bëra në drejtim të përmirësimit të klimës ndaj biznesit, në mbledhjen e sotme të Komitetit Ndërministror për Integrimin në NATO, Kryeministri u shpreh se të dhënat paraprake të këtij viti janë ndër më të shkëlqyerat që ka patur ndonjëherë biznesi. “Pesëmujori i ketij viti ka biznese të reja, të regjistruara më shumë se gjithë viti 2007. Eksportet “ Made in Albania” janë rritur me 32 %. Sot ONE STOP SHOP për regjistrimin e biznesit me një euro është bërë një realitet dhe të dhënat paraprake të këtij viti janë të dhënat më të shkëlqyera që ka patur ndonjëherë biznesi. Elementë të qartë të një bumi të biznesit janë të sigurta nga regjistri i bizneseve.Janë në diskutim kontrata të mëdha me sipërmarrës të huaj. Klima e biznesit është krejtësisht tjetër.” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri u shpreh se Task Force për rregullimin e tregut e kryesuar nga kryeministri, kë ndërmarrë hapat më të mëdha në drejtim të liberalizmit të lejeve dhe licencave. “Në një seri takimesh dhe pas një pune shumë të madhe është arritur që nga rreth 150 licenca dhe leje të hiqen shumica dërrmues mbi 60 % e tyre dhe te mbeten deri tani 62 gjithsej dhe këto o të grupohen ne ONE STOP Shop për licencat dhe lejet, pra do të funksionojë ONE STOP SHOP për licencat dhe lejet sikundër përgjigja problemit madhor të lejeve të ndërtimit do ti jepet me rregullin heshtja është miratim. Ligji i ri për urbanistikën do të diktojë këtë rregull.”
Ndonëse mbeten ende shumë probleme për tu zgjidhur, kryeministri theksoi se me këto masa, si dhe paketën fiskale të instaluar tërësisht, Shqipëria po krijon një nga klimat më të shkëlqyera nga pikëpamja e infrastrukturës ligjore për biznesin.