Kryeministri Berisha: Japonia vlerëson përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve për zhvillim dhe demokraci
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, kryeministri Berisha rivlerësoi vizitën në Japoni, si një vizitë të shkëlqyer dhe shumë të rëndësishme për konsolidimin e miqësisë mes dy vendeve. “Shqipëria gjen tek Japonia, një mik shumë të shquar, që ka vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve për tu ndarë nga një e shkuar tmerrësisht e hidhur. Nje vend mik, që ka kontribuar në të gjitha fushat e zhvillimit të këtij vendi dhe që është e vendosur të kontribuojë edhe më shumë.” tha Kryeministri.
Kryeministri theksoi se kredia prej 100 milion dollarësh, e premtuar qartësisht nga kryeministri Fukuda , u shoqërua me zotimin për shqyrtimin e një seri projektesh të tjera shumë të rëndësishme.
Kryeministri tha se në vizitën, e cila pati një jehonë të madhe në shtypin dhe medien japoneze, u diskutua gjerësisht për Kosovën dhe rajonin, si dhe u bënë përpjekjet maksimale për të tërhequr vëmendjen e investitorëve japonezë për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri vlerësoi se personalitet më të larta të vendit treguan interes të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjë e cila u dëshmua edhe nga pritja e rezervuar nga madhëritë së tyre imperiale, perandori Akihito dhe perandoresha Michiko, e cila zgjati më tepër se koha e parashikuar. Ndër të tjera, kryeministri vlerësoi edhe takimin shumë miqësor të zhvilluar me kryeministrin e vendit Fukuda.