E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e punimeve në rrugën Librazhd-Steblevë

Kryeministri Berisha përuroi sot përfundimin e punimeve të lotit të parë të rrugës nacionale Librazhd-Steblevë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 77 milionë lekë. Kryeministri vlerësoi se kjo rrugë e cila qarkon të gjitha viset juglindore dhe verilindore të Shqipërisë po ndërtohet sipas parametrave bashkëkohore.   

“Kjo rrugë ka nisur në dy drejtime: nga Librazhdi deri në Steblevë dhe Shupenzë. Do të nisin punimet për lotin e dytë me të njëjtën cilësi punimesh si kjo që po shihni këtu. Ndërkohë është edhe loti i tretë që do të nisë nga Tropoja në Krumë dhe pastaj drejt Kukësit dhe nga Kukësi drejt Kalasë së Dodës për t`u lidhur më pas me Peshkopinë”, tha Kryeministri.

Banorët e zonave verilindore të vendit, vlerësoi Kryeministri, të cilët jetojnë në kushte më të vështira se pjesa tjetër e kombit, do të kenë një nga rrugët më të mira të vendit.

Më pas, tha Kryeministri, do të nisë rikonstruksioni i rrugës Korçë-Përmet, ndërkohë që po bëhet projekti për segmentin Korçë-Tepelenë. Kryeministri siguroi se Ministria e Transporteve ka marrë porosi që nuk duhet të ketë asnjë rrugë kombëtare nën 6 metra gjerësi. “Rrugët kombëtare do të jenë të këtyre standardeve. Këto janë zonat më të bukura të Shqipërisë. Pak kohë më parë Ministria e Turizmit shpalli Park Kombëtar një zonë prej 5 komunash në këtë zonë,  përmes të cilave do të marrë një zhvillim të furishëm turizmi malor dhe ai dimëror”, u shpreh Kryeministri.  
Kjo rrugë, vijoi Kryeministri, kalon nëpër zona të varfra, por kalon në zona dhe fshatra të njerëzve shumë punëtorë. “Nëse do t`i shikoni ata kanë punuar me shumë përkushtim tokat e tyre”, vlerësoi Kryeministri.

Duke u ndalur në një nga problemet sociale të këtyre zonave, siç është emigracioni, Kryeministri tha se qeveria po punon që ky emigracion të përfundojë sa më shpejt. “Ju siguroj se nuk do të jetë e largët dita që nuk do të ketë emigracion, por do të ketë vetëm kthim dhe le të punojmë të gjithë së bashku për ta bërë sa më të afërt këtë ditë”, u shpreh Kryeministri gjatë bashkëbisedimit me qytetarë të zonës. 

Me qëllim shpejtimin e punimeve dhe përfundimin e tyre brenda afatit, Kryeministri i dha porosi Ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve që loti i dytë prej 23 km të ndahet në lote të veçanta jo më të gjatë se 4 km, dhe të punohet në të njëjtën kohë.      
Gjithashtu Kryeministri theksoi se gjatë punës për ndërtimin e rrugëve kombëtare duhet të mbahen në vëmendje dhe hyrjet e daljet e qyteteve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›