Kryeministri Berisha: Lufta kundër korrupsionit, leva e Arkimedit që po ndryshon Shqipërinë
-Shqipëria investon këtë vit në rrugët e fshatrave të saj 12-14 herë më shumë se në vitin 2004. Qeveria po investon 7 miliardë lekë në rrugët e fshatrave të vendit vetëm për vitin 2008, krahasuar me 500 milionë lekë që u investuan në vitin 2004. Administrata tatimore dhe doganore ka mbledhur 3.2 milionë dollarë më shumë se 3 vjet më parë. Të gjitha këto arritje erdhën si pasojë e luftës kundër korrupsionit.
Në vijim të turit të inaugurimeve të veprave publike në disa fshatra të Librazhdit, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e punimeve në shkollën e mesme të komunës së Hotolishtit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 12 milionë lekë.
Duke uruar banorët për shkollën e re, Kryeministri theksoi se qeveria në këtë mandat ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të ndryshuar Shqipërinë.
Në këtë kontekst Kryeministri u shpreh se Shqipëria nuk është më vendi që ishte tre vjet më parë, pasi ajo tashmë ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, po plotëson kushtet e MSA-së dhe po punon për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në mbarë Europën.
Kryeministri gjithashtu e vuri theksin në ndryshimin e madh që ka bërë vendi përsa i përket investimeve në infrastrukturë. Shqipëria, tha Kryeministri, investon këtë vit në rrugët e fshatrave të saj 12-14 herë më shumë se në vitin 2004. Të gjitha arritjet e deritanishme vlerësoi Kryeministri u bënë të mundura në sajë të luftës së vendosur kundër korrupsionit.
Duke e cilësuar luftën ndaj korrupsionit si betejën e jetës së tij, Kryeministri tha se lufta ndaj këtij fenomeni është leva e Arkimedit që ka ndryshuar dhe po ndryshon Shqipërinë.
Ishte lufta kundër korrupsionit, tha Kryeministri, ajo që bëri të mundur që në tre vjet, pavarësisht uljes më madhore të taksave, administrata tatimore dhe doganore të vjelë 3.2 milionë dollarë më shumë se tre vjet më parë.
Kryeministri sqaroi se këto para të cilat tre vjet më parë përfundonin të gjitha në xhepat e kontrabandistëve, evazorëve dhe zyrtarëve të korruptuar, qeveria po i shndërron në shkolla, rrugë, ujësjellësa, në rritje pagash dhe pensionesh.
Në fjalën e tij gjatë inaugurimit të shkollës në Komunën e Hotolishtit, Kryeministri Berisha u shpreh:
Dua të shpreh gëzimin dhe kënaqësinë time që ne inaugurojmë sot një shkollë, e cila u bën të mundur fëmijëve tuaj të mësojnë në kushte bashkëkohore moderne jo më në klasa të tejmbushura, por në klasa me nga 25-30 nxënës, t`u japë mundësinë fëmijëve tuaj të mësojnë në një shkollë e cila ka një laborator informatike nga më të mirët në Shqipëri dhuratë e qeverisë italiane, të cilën unë dua ta falënderoj përzemërsisht. Fëmijët tuaj kanë mundësinë të mësojnë në një shkollë ku mësuesit dhe mësueset e tyre sot ndiejnë përkushtimin më të madh se kurrë më parë, pasi e kanë kuptuar se kjo qeveri ka bërë dhe po bën përpjekjet më të mëdha për t`i vendosur ata në piedestalin që u takon për misionin e madh dhe fisnik që ata përmbushin.Kjo qeveri po i përmbahet me vërtetësi absolute premtimit të saj për dyfishimin e rrogave të mësuesve të fëmijëve tanë. Sot mësuesit e shkollave të mesme marrin 75% më shumë se sa merrnin në vitin 2005. Unë dua t`i siguroj ata se vitin tjetër do të marrin 100 % më shumë.
Librazhdi është rrethi i njerëzve punëtorë i qytetarëve që të frymëzojnë me punën dhe përkushtimin e tyre. Është një rreth me rezerva të mëdha natyrore, por dhe me vështirësi reale për banorët e vet. Unë ju siguroj që qeveria do të bëjë çdo përpjekje që pasuritë tuaja të marrin vlerat që u takojnë. Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar jetën tuaj të përditshme.
Unë isha në fshatin Polis, inauguruam rikonstruksionin e plotë të një shkolle, e cila ishte tërësisht e rrënuar. Së shpejti ne inaugurojmë asfaltimin e rrugës që lidh Polisin me rrugën kombëtare. Isha në Steblevë ku inauguruam rrugën kombëtare, e cila do të qarkojë të gjitha viset verilindore dhe juglindore të vendit. Do të ndërtohet nga Lethi i Tepelenës deri në Tropojë. Aty ku të ketë banorë ne do të modernizojmë infrastrukturën. I dhashë porosi Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve që 23 km e tjera të rrugës që janë për t`u bërë t`i ndajë në 4-5 lote dhe t`i tenderojë ato brenda dy muajve. Ne po bëjmë gjithashtu projektin për të ecur gjithashtu nga Shupenza drejt Librazhdit. Gjithashtu po bëjmë projektin nga Peshkopia për në Kalanë e Dodës dhe më pas do të fillojmë nga Kukësi drejt Peshkopisë ndërkohë që kemi filluar rrugën nga Tropoja në Krumë dhe së shpejti do të nisë nga Kruma drejt Kukësit. Më pas do të rikonstruktojmë plotësisht rrugën Korçë –Tepelenë.
Në këto vise Shqipëria ka pasuri të mëdha. Në këto vise kushtet e banorëve nuk janë të lehta, por njerëzit janë shumë punëtorë. Ka pasuri të mëdha natyrore dhe ata janë të vendosur t`i shndërrojnë ato në pasuri të komunitetit ku jetojnë dhe pasuri të vendit në tërësi.
Qeveria këtë mandat ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të ndryshuar Shqipërinë. Ju besoj jeni dakord se Shqipëria nuk është më ajo që ishte tre vjet më parë. Se Shqipëria sot ka marrë ftesën për në NATO dhe është 100 herë më e besueshme se tre vjet më parë. Se Shqipëria po plotëson kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe vitin e ardhshëm pritet që ju qytetarët e Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë të lëvizni në mbarë Europën si qytetarë të saj. Shqipëria investon këtë vit në rrugët e fshatrave të saj 12-14 herë më shumë se në vitin 2004. Le t`u referohemi shifrave. Janë investuar 500 milionë lekë në rrugët e fshatrave në vitin 2004, ndërkohë që ne po investojmë 7 miliardë lekë në vitin 2008 në infrastrukturën e fshatrave të vendit pa llogaritur akset kombëtare dhe ne do të vazhdojmë të investojmë dhe këtë mundësi na e dha lufta kundër korrupsionit.
Ishte kjo luftë, që bëri të mundur që në tre vjet, që duke bërë edhe uljen më madhore të taksave, u bë e mundur që të vjelim 3.2 milionë dollarë më shumë se tre vjet më parë. Dhe këto janë shifra të certifikuara. Me këto para të cilat përfundonin të gjitha në xhepat e kontrabandistëve, evazorëve zyrtarëve të korruptuar ne po ndërtojmë rrugë po i ndërtojmë shkolla po i ndërtojmë ujësjellësa , po rrisim sa kurrë ndonjëherë më parë rrogat e mësueseve dhe të infermierëve punonjësve të administratës, po shkojmë drejt dyfishimit të plotë të pensioneve në fshat.
Kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës del dhe thotë se përse Kryeministri iu bën ju thirrje që ta luftojmë korrupsionin. Më lejoni t`i them nga kjo tribunë: Zoti Rama lufta kundër korrupsionit është beteja e jetës time! Asgjë nuk mund të bëj unë më shumë për njerëzit e lirë se sa t`i mbroj ata dhe të luftoj së bashku me ta korrupsionin. Lufta kundër korrupsionit u faktua në këto tre vjet se është leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit do të jetë leva e Arkimedit për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar dhe modern.
Njeriu që ka shpenzuar më shumë se 2.5 milionë euro për fushatë për të bërë tualetin e karrierës së tij të politike, që as sallonet e Hollivudit nuk mund ta shpëtojnë dot nga rrënimi, i sulet luftës që ne po bëjmë kundër korrupsionit dhe mobilizon tenderlëpirës dhe gjakbërës apo nënkryetarët e tij që pasi vjedhin financat e organizatës që drejtojnë, vjedhin edhe kompjuterin e financave sepse u del vila e vjedhur në shesh. Kjo është një luftë e pandershme.
Ndaj dhe ne të dashur qytetarë duhet ta realizojmë këtë betejë kundër korrupsionit sepse do të kemi më shumë shkolla të reja, më shumë rrugë të reja, më shumë vende pune, më shumë të ardhura dhe do të bëhemi më shpejt të zhvilluar. Unë për këtë ju jap fjalën.
Unë shkova drejt Qukësit për të inauguruar ujësjellësin, do të shkoj në Rrajcë ku do të inaugurojmë rrugën, përpara është Mokra dhe u premtoj banorëve të saj se sado që të jetë distanca deri në qendrat e komunave të saj, atje do të shkojnë rrugët e asfaltuara. Edhe njëherë lufta kundër korrupsionit është leva e Arkimedit për të ndërtuar Shqipërinë
Dua t`i premtoj kryetarit të komunës mbështetjen për të gjitha projektet që ai do të bëjë për të përmirësuar jetesën e banorëve të kësaj zone.