Kryeministri Berisha: Shqiponja, simboli i përjetshëm i shqiptarëve, u ngrit më 28 nëntor 1912 nga Vlora heroike, për ti prirë kombit shqiptar në lartësi gjithnjë e më të mëdha
- - Le të urojmë ne të rinjve shqiptarë dhe mbarë kombit që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë e më lart, gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë, më të bashkuar
Në prag të festës së 100 vjetorit të pavarësisë, Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në ceremoninë e inaugurimit të memorialit të Shqiponjës, e cila ka pagëzuar me të njëjtin emër sheshin në të cilin është vendosur.
Monumenti madhështor, simbolikë në shekuj e kombit shqiptar vjen për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, si një punim dinjitoz i artistëve shqiptarë me autor Albi Çifligun, mundësuar me kontributin financiar të familjes Destani nga Tetova. Memoriali me lartësi 10 metra, vepër e derdhur në çelik të rëndë, u zbulua për të pranishmit bashkërisht nga kryeministri Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulëzim Basha dhe nga kryetarët e komunave dhe bashkive të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, të cilët u mblodhën së bashku për të festuar këtë ngjarje.
Me urimin drejtuar mbarë shqiptarëve, për 28 nëntorin, kryeministri Berisha tha se shqiponja dykrenare është simboli i përjetshëm i kombit shqiptar, e cila nga 28 nëntori i vitit 1912, u ngrit nga Vlora heroike për të për të fluturuar përjetë në trojet shqiptare dhe për ti prirë kombit shqiptar në lartësi gjithnjë e më të mëdha.
Kryeministri falënderoi me mirënjohje bashkinë e Tiranës, familjen Destani, dhe ideatorët e veprës që me talentin dhe aftësinë e tyre, iu dhuruan shqiptarëve këtë monument madhështor.
Përshëndetja e kryeministrit Berisha në inaugurimin e Memorialit të Shqiponjës:
I nderuar Kryetari i bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha,
Të nderuar qytetarë të parë të komunave dhe bashkive të trojeve etnike shqiptare, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi,
Të nderuar zotërinj ministra,
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës,
I nderuar zoti Nazim Destani dhe anëtarë të familjes Destani,
Së pari dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht ju këtu, të përshëndes shqiptarët kudo që ndodhen sot, në Shqipëri , Kosovë, Maqedoni, Mal të zi, në emigracion në Itali, Greqi, Gjermani, SHBA, në diaspore, në mbarë botën që ndjekin me gëzim të madh, vendosjen në kryeqëndrën e Shqipërisë të simbolit të tyre të përjetshëm kombëtar, Shqiponjës dy krenare, shqiponjës së flamurit të Skënderbeut, të shqiponjës që do të ngrihej me 28 nëntor të vitit 1912, nga Vlora heroike për të për të fluturuar përjetë në trojet shqiptare, për ti prirë kombit shqiptar në lartësi gjithnjë e më të mëdha.
Dua të falënderoj bashkinë e Tiranës, familjen Destani, të falënderoj ideatorët, ata që shkrinë mendjet e tyre , aftësinë e tyre , në këtë monument madhështor të të gjithë shqiptarëve kudo që janë sot.
Ju uroj gëzuar qytetarëve të Tiranës, qytetarëve shqiptarë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen,
Gëzuar 28 nëntorin!
Le të urojmë ne së bashku me përpjekje të madhe të frymëzuar nga vepra e atyre që bënë të mundur që sot ne të jemi të lirë, të punojmë për të bërë përfundimisht të vërtetë idealin më sublim të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë.
Le të urojmë ne të rinjve shqiptarë dhe mbarë kombit që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë e më lart, gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë, më të bashkuar.
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, flamurin e tyre, flamurin e Skënderbeut!
Faleminderit!
26/11/2012