Kryeministri Berisha: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një akt përcaktues për ekzistencën kombëtare

Kryeministri Berisha vizitoi sot pasdite ekspozitën e arteve pamore, organizuar me rastin e 130 vjetorit të krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo ekspozitë, e realizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Galeria Kombëtare e Arteve, përmban 37 vepra në pikturë dhe skulpturë të 21 artistëve të mëdhenj në këtë fushë, të realizuara gjatë viteve 1917 – 1984.
Kryeministri Berisha vlerësoi lart punimet e kësaj ekspozite, duke përgëzuar autorët e këtyre veprave, një pjesë e të cilëve janë autorë të vjetër, por që kanë lënë një arkiv të pavdekshëm në fondin e madh të krijimeve në fushën e pikturës e skulpturës.
“Kjo ekspozitë organizohet në nder të njërës prej ngjarjeve më përcaktuese në historinë tonë kombëtare, në 130 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lidhje me të cilën shqiptarët i dëshmuan Evropës e mbarë botës se ata, në territoret ku jetonin, përfaqësonin një komb të tyre, se trevat të cilat banoheshin nga shqiptarët ishin tokat e tyre dhe se shqiptarët, pavarësisht nga vilajetet në të cilat ishin copëtuar dhe nga planet makabre që përgatiteshin për t’i ndarë, ata ishin një komb i cili u zgjua pas shekujsh pushtimi dhe dëshmoi një vetëdije kombëtare”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi më tej se Lidhja e Prizrenit është përpjekja e parë mbarëkombëtare për t’u bashkuar, me qëllimin e madh për të shpallur autonominë dhe më pas pavarësinë, nga Porta e Lartë, perandori e cila po ecte drejt një rrokullisjeje të vërtetë.
Ky përvjetor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, theksoi Kryeministri, i gjen shqiptarët më të lirë se kurrë. “Ne nderojmë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nderojmë burrat e mëdhenj, të cilët me përpjekjet, zërin e tyre, përkushtimin, luftërat, kryengritjet që organizuan, dëshmuan se kombi ishte një dhe i tërë dhe ishte i vendosur të mbronte identitetin dhe trojet e tij, ishte i vendosur të ecte drejt pavarësisë e t’u kundërvihej të gjitha padrejtësive të mëdha. Pra, Lidhja e Prizrenit ishte një akt përcaktues për ekzistencën tonë kombëtare”, vijoi Kryeministri.
Ai vuri në dukje se shqiptarët sot e kremtojnë këtë datë në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova janë tashmë dy vende të lira, të pavarura, që ecin të sigurta drejt të ardhmes së tyre evropiane. “Edhe shqiptarët në treva të tjera, në Maqedoni dhe Mal të Zi, kanë bërë progres të madh në drejtim të standardeve të lirisë, të rikonfirmimit të të drejtave të tyre njerëzore dhe kombëtare”, theksoi Kryeministri.