E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në meshën e mbajtur me rastin e ditës së Shna Ndout

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në meshën e mbajtur me rastin e ditës së Shna Ndout, në Kishën e Laçit. Duke përshëndetur pelegrinët dhe besimtarët e pranishëm në meshë, Kryeministri i uroi atyre ditën e shënuar të Shna Ndout dhe shprehu kënaqësinë që ndodhej mes tyre për të festuar këtë ditë.

“Ju uroi këtë ditë të shënuar të Shna Ndout dhe shpreh kënaqësinë që jam sot me ju për të festuar së bashku këtë ditë. Shpreh besimin dhe shpresën se shpirti, ana më fisnike e njeriut, do të shndërrohet gjithnjë e më shumë në mirësi për ju dhe gjithë shqiptarët”, është shprehur Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri shprehu falënderimet më të thella për përkushtimin dhe kontributin që Kleri Françeskan, si dhe i gjithë Kleri në Shqipëri, ka dhënë në ndërtimin dhe rindërtimin e besimeve fetare.

“I shpreh klerit françeskan dhe të gjithë klerit në Shqipëri, respektin dhe nderimet më të thella për kontributin dhe përkushtimin e tyre në ndërtimin dhe rindërtimin e besimeve fetare, që forcojnë më shumë se çdo gjë tjetër shpirtin e njeriut, virtytin dhe shpresat e tij”, tha Kryeministri.

Ndërsa uroi dhe një herë pelegrinët dhe besimtarët për këtë ditë të shënuar, Kryeministri u shpreh se vitin e ardhshëm dita e Shna Ndoit do të jetë një ditë edhe më e gëzuar, më e bardhë dhe më e mirë për të gjithë pelegrinët shqiptarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›